Statistikat/ 29 ndeshje, një rivalitet i hapur mes Egnatias dhe Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2026 | 12:05

Statistikat/ 29 ndeshje, një rivalitet i hapur mes Egnatias dhe Vllaznisë

Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias kanë ndërtuar me kalimin e viteve një histori interesante dhe të balancuar në futbollin shqiptar. Rivaliteti mes dy skuadrave ka qenë gjithmonë i fortë, ndërsa rezultatet shpesh janë vendosur në detaje, duke prodhuar ndeshje të luftuara dhe me emocione deri në fund.vllaznia-egnatia

Në total, Vllaznia dhe Egnatia janë përballur 29 herë në të gjitha kompeticionet. Bilanci i përgjithshëm mbetet relativisht i ekuilibruar, megjithëse me një avantazh të lehtë për skuadrën rrogozhinase. Kuqeblutë kanë regjistruar 8 fitore, ndërsa Egnatia ka triumfuar në 11 raste. Ndërkohë, 10 përballje janë mbyllur në barazim, një tregues i qartë se duelet mes këtyre dy ekipeve kanë qenë shpesh të hapur dhe të paparashikueshëm.

Sezoni aktual 2025-26 ka sjellë një tjetër kapitull interesant në këtë rivalitet. Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia arriti të imponojë lojën e saj dhe të fitojë me rezultatin 2-0, duke marrë një sukses të rëndësishëm ndaj kampionëve në fuqi. Në fazën e dytë, në Rrogozhinë, sfida dhuroi spektakël dhe emocione, duke u mbyllur me barazimin 2-2 pas një ndeshjeje të luftuar deri në minutat e fundit. Ndërkohë, përballja më e fundit mes dy skuadrave në këtë sezon erdhi në javën e 19- të të kampionatit, ku Vllaznia arriti një tjetër sukses të rëndësishëm. Shkodranët fituan minimalisht 1-0 falë golit të Kallakut, një realizim që rezultoi vendimtar dhe i dha kuqebluve tri pikë shumë të vlefshme në këtë duel.

Këto rezultate e bëjnë sezonin aktual pozitiv për Vllazninë në përballjet direkte me Egnatian. Kuqeblutë kanë arritur të ruajnë një ecuri të mirë ndaj rrogozhinasve, duke treguar se dinë të jenë një kundërshtar i vështirë për kampionët në fuqi, pavarësisht statistikave historike që vazhdojnë të anojnë lehtë në favor të Egnatias. Në këtë mënyrë, shkodranët synojnë të ruajnë “trendin” pozitiv edhe në përballjet e radhës mes dy skuadrave.

PANORAMASPORT.AL