Starton Botërori i Peshëngritjes, Shqipëria me 3 sportistë në Norvegji
Në Forde të Norvegjisë ka nisur dje Kampionati Botëror i Peshëngritjes, aktivitet që do të vijojë deri më datë 11 tetor. Në kompeticionin më të rëndësishëm vjetor të shtangës merr pjesë edhe Shqipëria, e cila ka regjistruar tre sportistë në këtë eveniment.

Kombëtarja kuqezi e peshëngritjes përbëhet nga dy kampionët e mëdhenj, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, si dhe nga talenti i ri, Ertjan Kofsha. Calja dhe Qerimaj, të cilët janë në metrat e fundit të karrierës së tyre të lavdishme, do të konkurrojnë në kategorinë e peshave 79 kg, ndërsa Kofsha do të matë forcat në kategorinë e peshave 94 kg.
KALENDARI I GARAVE
I pari që do të ngjitet në pedanë do të jetë Briken Calja. 35-vjeçari do ta nisë nga Bateria C e peshave 79 kg, me këtë bateri që do të startojë më datë 6 tetor në orën 12:00. Disa orë më vonë, në 17:00, do të jetë radha për 37-vjeçarin Erkand Qerimajn, në të njëjtën kategori peshash, por në Baterinë B. Duhet theksuar se kjo kategori peshash ka një konkurrencë shumë të madhe, me një numër të gjerë pjesëmarrësish, të ndarë në katër bateri. Për sa i përket Ertjan Kofshës, 20-vjeçari shtërmenas do të provojë forcat më të rriturit në peshat 94 kg. Ai do të garojë më datë 8 tetor në orën 14:00 në Baterinë C.

PANORAMASPORT.AL













