Standarde të larta për sezonin e ri, FSHF kalon në ‘sitë’ stadiumet e Kategorisë së Parë. Njëri rrezikon licencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2026 | 17:12

Standarde të larta për sezonin e ri, FSHF kalon në ‘sitë’ stadiumet e Kategorisë së Parë. Njëri rrezikon licencën

Sezoni 2026-2027 pritet të sjellë risi dhe standarde më të larta në Kategorinë e Parë. Menjëherë pas përfundimit të sezonit, zyrtarët e qeverisë së futbollit kanë zbritur në terren për të inspektuar impiantet ku do të zhvillohen ndeshjet e edicionit të ri, duke evidentuar problematikat dhe duke lënë detyra konkrete për klubet respektive. Në të kundërt, licencimi i stadiumeve vihet seriozisht në pikëpyetje.

710599045_1612752027527088_8313308174474129492_n

Inspektime në stadiumet problematike
Eduart Gjini dhe Dritan Kadia, dy nga zyrtarët kryesorë të FSHF-së për licencimet dhe infrastrukturën, kanë nisur një tur inspektimesh në stadiumet problematike. Burreli, Peshkopia, Fushë-Kruja, Orikumi dhe Librazhdi janë disa nga qytetet ku kërkohen ndërhyrje të menjëhershme për të përmbushur standardet e kërkuara dhe për të mos u kthyer në pengesë për zhvillimin normal të kampionatit. Në çdo klub janë lënë detyra të qarta për zbatim, ku prioritet absolut mbetet garantimi i transmetimit televiziv të ndeshjeve. Kushti kryesor dhe i panegociueshëm për klubet dhe bashkitë përkatëse është instalimi i platformave në të katër anët e fushës për vendosjen e kamerave, me qëllim realizimin e një transmetimi sa më cilësor televiziv.

VAR-i hyn në lojë
Gjithashtu, të gjitha klubet e Kategorisë së Parë janë udhëzuar të sigurojnë panele elektrike rezervë, ose gjeneratorë të fuqishëm, në mënyrë që transmetimi televiziv të mos ndërpritet në asnjë rast, pavarësisht problemeve me energjinë elektrike. Ideja është që çdo stadium të garantojë standarde maksimale për transmetuesit televizivë. Plotësimi i këtyre kritereve i hap rrugën edhe përdorimit të teknologjisë VAR në çdo stadium të Kategorisë së Parë, sa herë që kjo të konsiderohet e nevojshme. Pra, synimi është që çdo ndeshje e transmetuar të ketë të garantuar edhe infrastrukturën për praninë e teknologjisë. Përveç transmetimit televiziv, zyrtarët e FSHF-së kanë lënë detyra specifike edhe për sigurinë, fushat, dhomat e zhveshjes, pankinat dhe një sërë detajesh të tjera infrastrukturore.

Fushë-Kruja në “alarm”
“Panorama Sport” mëson se sipas federatës, situata më problematike paraqitet në stadiumin e Fushë-Krujës, ku luajnë si skuadra pritëse Iliria dhe Kastrioti. Për këtë impiant është kërkuar një ndërhyrje e thellë në disa sektorë, në mënyrë që stadiumi të licencohet për zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë. Padyshim në realizimin e këtyre detyrave kërkohet edhe ndihma e pushtetit vendor në koordinim me qeverinë e futbollit në vend. Federata ka vendosur që këtë proces ta nisë herët, në mënyrë që asnjë klub të mos justifikohet më pas me mungesën e kohës. Objektivi është i qartë, starti i sezonit të ri ta gjejë Kategorinë e Parë me standarde më të larta dhe me çdo impiant gati për kampionatin.