Skënderbeu ka gati festën, tifozllëk për kurbinasit kundër Pogradecit. “Ujqërit” mund të sigurojnë sot ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2026 | 9:24

Skënderbeu ka gati festën, tifozllëk për kurbinasit kundër Pogradecit. “Ujqërit” mund të sigurojnë sot ngjitjen

Sezoni 2025-2026 po shkon drejt fundit dhe në Korçë aroma e festës ndihet gjithnjë e më pranë. Skënderbeu është vetëm 90 minuta larg rikthimit matematik në Kategoria Superiore, ndërsa sfida e kësaj jave ndaj Kastrioti mund të kthehet në ndeshjen e shumëpritur të festës bardhekuqe. Me 73 pikë në krye të renditjes, korçarët kanë zhvilluar një sezon dominues dhe tashmë e kanë fatin në duart e tyre.

SKENDERBEU KASTRIOTI

Fitorja ndaj Kastriotit do ta çonte Skënderbeun në kuotën e 76 pikëve, duke e afruar përfundimisht me objektivin madhor: rikthimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Megjithatë, për të vulosur matematikisht ngjitjen që këtë javë, Skënderbeu duhet të fitojë dhe njëkohësisht të marrë ndihmë nga sfida direkte mes Laçi dhe Pogradeci. Skenari që e nxjerr Skënderbeun matematikisht në Superiore: Skënderbeu fiton ndaj Kastriotit dhe shkon në 76 pikë, ndërsa Laçi dhe Pogradeci barazojnë dhe kurbinaist shkojnë në 71 pikë, Pogradeci në 68 pikë.

Edhe fitorja e Laçit përkthehet rikthim direkt në elitë, pasi diferenca me Pogradecin e vendit të tretë shkon në +9 pikë, ndërkohë mbeten vetëm dy javë për t’u luajtur. Pra, kemi dy kombinime rezultatesh të ndeshjes Laçi-Pogradeci, që lidhen me rikthimin e Skënderbeut në elitë. Korçarët në këtë rast bëjnë “tifozllëk” për laçianët, pasi suksesi i liqenorëve nuk i lejon matematikisht që të festojnë.

Atmosfera në Korçë është elektrizuese dhe vetë klubi e ka ndezur entuziazmin e tifozëve me mesazhin e fundit para ndeshjes, ku duket se nuk kanë më “frikë”: “PO RIKTHEHEMI ATY KU NA TAKON! Skënderbeu e ka vendin mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Ky qytet meriton të festojë”. Klubi ka bërë thirrje për mbështetje maksimale në stadium, në një ndeshje që mund të vulosë rikthimin e shumëpritur në elitë. Përballë do të jetë një Kastriot pa shumë presion në renditje, por që mbetet një rival i rrezikshëm dhe që mund të hapë probleme nëse ndeshja nuk menaxhohet si duhet.

Historiku në Korçë flet qartë: në 25 vitet e fundit, ndeshjet mes Skënderbeut dhe Kastriotit në fushën korçare nuk kanë njohur barazim. Ose fitojnë bardhekuqtë, ose surprizojnë krutanët. Kjo statistikë rrit edhe më shumë pritshmëritë për një duel të hapur dhe spektakolar. Tashmë llogaritë janë të qarta. Skënderbeu duhet të bëjë detyrën ndaj Kastriotit dhe të shpresojë që Pogradeci të mos fitojë në Laç, pasi i leverdis edhe barazimi. Nëse kjo ndodh, Korça feston rikthimin në Superiore që këtë të diel.

PANORAMASPORT.AL