Skënderbeu do të shmangë “play out”-in, egjiptiani Naser beson te katër pikët
Dy javët e fundit të sezonit duket se janë tejet të rëndësishme për Skënderbeun që pas barazimit me Tiranën mbeten në pozita të vështira sa i përket mbijetesës.

Edhe pse rezultatet e javës së kaluar u shkojnë përshtat korçarëve, mbeten ende në garë për mbijetesën. Në llogaritjet më të sakta duhen vetëm katër pikë mes dy ndeshjesh për të shmangur rënien nga Superiorja, por edhe vendi i “play out”-it duket tejet i sikletshëm për bardhekuqtë. Ndaj, për këtë arsye në radhët e korçarëve i gjithë përqendrimi është te ndeshja e radhës ndaj Egnatias.
Një fitore në këtë takim do të ishte një plus me shumë për Skënderbeun, që synon të shmangë edhe fazën “play out” në fund të këtij sezoni. Sa i përket trajnerit Gjoka, nga ana e tij ka kërkuar që ekipi të ketë përqendrim maksimal te ndeshja e radhës me Egnatian. Takim, ku Skënderbeu do të kërkojë të bëjë më të mirën për të mos pasur siklete të shtuara në javën e fundit. Në një linjë me trajnerin duket se është dhe Saleh Nasr, sulmuesi që po bën mjaft mirë në këto javë dhe po tregon se cilësia ofensive është shtuar në kampin korçar. Për Nasr, ndeshja e radhës është ajo që ka më shumë rëndësi dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal. Por, sipas tij, ekipi me katër pikë në dy javët e fundit mund të jetë i shpëtuar.
“Jemi në një moment delikat, pasi pas barazimit me Tiranën kemi ende probleme për të siguruar mbijetesën. Mund të fitonim këtë takim dhe të ishim më të qetë, pasi patëm rastet tona për të mbyllur krejt ndeshjen. Me barazimin na duhet edhe një sforco e fundit. Në dy ndeshjet e radhës na duhen katër pikë. Por ne shohim vetëm ndeshjen me Egnatian. Duhet të tregojmë dëshirë dhe ritëm në këtë takim, pasi mundësia është e madhe që të arrijmë një rezultat pozitiv. Me katër pikë në dy ndeshjet e fundit besoj se jemi brenda pritshmërive për të shpëtuar sezonin”, theksoi Nasr.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













