SHTANGË/ Toska i beson Kofshës në Peru: Shkojmë për medaljen e arit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2025 | 15:36

SHTANGË/ Toska i beson Kofshës në Peru: Shkojmë për medaljen e arit

Prej 30 prillit deri më 5 maj, në Lima të Perusë do të zhvillohet Kampionati Botëror i peshëngritjes për të rinj. Në këtë eveniment të rëndësishëm moshash, Shqipëria do të përfaqësohet me 3 sportistë: Ertjan Kofshën, Antonino Mullisin dhe Enkileda Carjen.

LEONARD TOSKA

Në palestrën e Shtërmenit, nën drejtimin e trajnerit Leonard Toska, shtangisti Ertjan Kofsha po u jep dorën e fundit përgatitjeve. Kofsha do të konkurrojë në Baterinë A të peshave 96 kg, me garën e tij që nis në orën 11:30 të mbrëmjes së 3 majit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i tij Leonard Toska ka folur për gjendjen e sportistit dhe pritshmëritë në Botëror.

“Jemi stërvitur shumë për këtë garë të fortë dhe jemi në fund të përgatitjeve intensive. Gjendja e Kofshës është e mirë dhe na pret një garë e hekurt në Peru, ku kemi rivalë nga të gjitha shtetet e botës, por nuk i trembemi askujt, pasi kampioni ynë do t’i sfidojë ata. Mbështetja nga Bashkia Cërrik dhe federata nuk na ka munguar dhe për këtë gjë i falënderojmë shumë. Do tronditim botën në këtë garë. Ertjan Kofsha është e ardhmja e peshëngritjes shqiptare dhe të gjithë krenohemi me të. Objektivi ynë është titulli kampion Bote. E dimë që nuk është e lehtë, por ne shkojmë për të bërë ëndrrën realitet”, deklaron trajneri Toska disa ditë para garës në Peru.

PANORAMASPORT.AL