SHTANGË/ Pa medalje në Botërorin U-20, Toska: Kofsha rikthehet si kampion i Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2025 | 12:34

SHTANGË/ Pa medalje në Botërorin U-20, Toska: Kofsha rikthehet si kampion i Europës

Ertjan Kofsha bëri një paraqitje të mirë në kampionatin botëror për të rinj, event që u mbajt disa ditë më parë në Lima të Perusë.MixCollage-20-May-2025-12-26-PM-8031Por, për fat të keq, sportisti me të ardhme i ekipit të Shtërmenit, nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, që ishte edhe objektivi për këtë garë. Kofsha garoi në peshat 96 kg për U-20 dhe regjistroi 161 kg në stilin e shkëputjes, duke u klasifikuar në vendin e katërt. Në shtytje Kofsha ngriti 197 kg, duke marrë një tjetër vend të katërt. Ndërsa me 358 kg gjithsej, 20-vjeçari kuqezi e përfundoi dygarëshin në vendin e pestë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska shfaqet disi i zhgënjyer për mungesën e medaljeve në këtë event, por thekson se tashmë i gjithë fokusi i përgatitjeve do të jetë te kampionati europian që do të mbahet në Tiranë në muajin shtator.

“Kemi dhënë më të mirën tonë në një garë shumë të fortë siç ishte ajo e botërorit në Peru, duke bërë një paraqitje të mirë në përgjithësi. Jemi pak të mërzitur, pasi nuk arritën dot objektivin, që të merrnim të paktën një medalje, por nuk ishte e thënë, pasi dhe kundërshtarët ishin të fortë”, shprehet fillimisht Toska.

Trajner shtërmenas kërkon që ta mbajë lart moralin e sportistit, duke theksuar se kanë gara të tjera shumë të rëndësishme përpara: “Nuk duhet të demoralizohemi, pasi kemi gara të tjera që na presin, të cilat do të jenë edhe më të forta. Përgatitjet nuk i kemi ndërprerë asnjë moment, duke vazhduar me intensitet të lartë me dy seanca në ditë. Gjendja e Kofshës është e mirë dhe forma e tij më kënaq, por kemi shumë punë përpara për të bërë. Gara më e afërt është në datën 3 shtator, kampionati europian që do të zhvillohet në Tiranë. Në këtë eveniment do të rikthehemi edhe më të fortë, pasi jemi në shtëpinë tonë. Kështu që nuk do ta diskutojmë vendin e parë, pra, titullin kampion të Europës. Do të ngremë sa më lart flamurin kuqezi dhe Ertjan Kofsha do të bëhet shumë shpejt një sportist i madh europian dhe botëror”, përfundon prononcimin e tij trajneri Leonard Toska.

M.MIRAKA-PANORAMASPORT.AL