SHTANGË/ “Njëlloj sikur Duka të çonte Silvinjon në tribunë”, akuza e kampionit Qerimaj: Medalja e hequr, ja pse dyshoj te federata
Erkand Qerimaj rikthehet në qendër të vëmendjes pas Kampionatit Europian në Batumi, jo vetëm për performancën e tij në platformë, por edhe për polemikat që shoqëruan garën. Shtangisti kuqezi ngre akuza të forta për vendimet e jurisë dhe hije dyshime për ndikim të Federatës Shqiptare.

Njëkohësisht ai evidenton një sërë problematikash të thella në shtangën shqiptare, nga mungesa e kushteve bazë deri te mënyra e menaxhimit të federatës. Në intervistën e tij për “Panorama Sport”, Qerimaj flet hapur për zhgënjimin, sfidat dhe shqetësimet që, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e këtij sporti në vend.
EUROPIANI DHE POLEMIKAT
Rreth dhjetë ditë pas Europianit, Qerimaj rikthehet të flasë për garën e tij në Batumi të Gjeorgjisë, duke shprehur edhe zhgënjimin për atë provë të djegur në mënyrë të padrejtë nga juria, në një kohë që gjyqtarët e kishin vlerësuar unanimisht si të rregullt.
“Ajo që ndodhi faktikisht ishte një heqje medaljeje si për mua, ashtu edhe për Shqipërinë, sepse prova që unë realizova ishte direkt medalje bronzi dhe më pas nuk dihej se si mund të shkonte, pasi mund të bëja edhe më mirë. Por, në momentin që mua ma hoqën atë provë, pasi gjyqtarët e miratuan me tre flamuj të bardhë, ndërsa juria ma anuloi, atëherë gara mu çorientua komplet. Më pas nuk u futa më në nxehje dhe nuk bëra më prova të tjera, pra me pak fjalë mu prish gara.
Mendoj që është një humbje për mua dhe për Shqipërinë, një medalje më pak, aq më tepër që ne nuk është se kemi edhe aq shumë medalje për të numëruar, flas për Europianë dhe Botërorë, jo për garat e nivelit të ulët”, tregon kampioni i peshëngritjes shqiptare, i cili edhe në moshën 37-vjeçare mbetet në nivel konkurrues në eventet më prestigjioze të shtangës.
DYSHIMET NDAJ FEDERATËS
Prej kohësh, Qerimajn e kanë shoqëruar përplasje me federatën dhe presidentin Gjoza, përplasje për të cilat shtangisti ngre dyshime edhe për ndikim deri te juria për anulimin e provës. Më tej ai prek edhe një çështje që ka të bëjë me prezencën e trajnerëve në gara.
“Dyshimet e mia janë edhe për një ndikim të mundshëm të federatës tonë në anulimin e provës. Në momentin që ne e kemi filluar garën, aty ishin tre trajnerë dhe normalisht të tre trajnerët duhej të ishin në nxehje dhe të kontribuonin për ne si sportistë, jo të marrë presidenti rolin e trajnerit, sepse kjo gjë është konflikt interesi. Ai mori rolin e trajnerit duke ndihmuar sportistin tjetër, ndërsa unë mbeta vetëm me një trajner.
Ndërkohë ekipet e tjera, si Gjermania apo Italia, funksionojnë në skuadër, ku të gjithë trajnerët kontribuojnë për sportistët. Pra ne i kishim trajnerët aty, por ata po e ndiqnin garën nga tribuna dhe kjo gjë është e papranueshme dhe e pakuptueshme. Është absurde që presidenti ynë të marrë rolin e trajnerit, gjë që e bën në çdo garë, ndërsa trajnerët rrinin dhe e ndiqnin garën nga tribuna. Ky është një skandal, pasi ne aty shkojmë për flamurin dhe jo secili sipas dëshirës së tij. Është njësoj sikur Armand Duka të çojë Silvinjon në tribunë dhe ta drejtojë ai ekipin në stol”.
“PA UNIFORMA DHE DOKTOR”
Qerimaj më pas thekson një sërë problematikash në peshëngritjen shqiptare, duke nisur nga më elementaret, si mungesa e uniformave dhe stafit në gara. “Peshëngritja ka shumë problematika, por po përmend ato më kryesoret dhe më elementaret, duke nisur nga ekipi kombëtar. Ne shkojmë në kompeticione pa uniforma, pa fizioterapist dhe pa doktor, pra nuk kemi as gjërat më minimale në përfaqësim, ato më baziket. Jemi i vetmi ekip që nuk i kemi.
Ne shkojmë në gara dhe nuk kuptohet se cilin shtet përfaqësojmë, pasi futemi pa uniforma. Nuk arrij ta kuptoj presidentin e federatës, i cili shprehet ‘jo, i kam blerë’, apo ‘nuk i veshin’. Zotëri, ne jemi ekip kombëtar dhe nuk mund të shkojmë pa uniforma. Që kur ka ardhur si president i federatës, për herë të fundit na ka sjellë uniforma në vitin 2021, pra kanë kaluar 5-6 vite.”
MASIVIZMI
Një tjetër problematikë që ngre shtangisti i Tiranës është çështja e masivizimit. “Unë kam ngritur problematikën e masivizimit të sportit dhe dua të përmend një fakt siç ishte kampionati i të rinjve, garë ku Elbasani doli kampion me vetëm 3 sportistë, në një kohë kur formacioni duhet të ketë 8 sportistë. Pra niveli, në krahasim me vitet 2000–2010, po shkon drejt shkrirjes. Jemi në pikën ku del një ekip kampion me dy apo tre shtangistë dhe kjo është një problematikë e thellë”.
“ELEMENTËT E RINJ, PAK”
Shqipëria ka disa elementë të rinj shumë të talentuar, duke nisur nga Enkileda Carja, Samoel Rrasa, Ertjan Kofsha etj., por sipas Qerimajt ky numër nuk është i mjaftueshëm për të pasur një kombëtare konkurruese edhe te të rriturit. “Ne këta sportistë, shyqyr që i kemi, por duke bërë një analizë me vitet e kaluara, ku deri në 2012-ën kishim 5 sportistë të kualifikuar me normë për Lojërat Olimpike, ndërsa në Olimpiadën e fundit nuk çuam asnjë peshëngritës, për herë të parë në histori. Pra rezultatet flasin vetë dhe mund të flasim gjithë ditën për ‘të ardhmen e ndritur’, por realiteti është që nuk kemi çuar asnjë sportist në Olimpiadë.
Në vitet 2000–2010 kemi pasur raste që dilnim pas Rusisë për sa i përket medaljeve të fituara te të rinjtë. Ndërkohë, tani nuk krahasohemi jo me Europën, por as me veten tonë. Tani janë 2-3 sportistë të mirë dhe shumë mirë që i kemi, por për të pritur rezultate me të rriturit duhet të kemi më shumë se dhjetë të tillë që të kemi pretendime në Olimpiadë apo në evente madhore. Por, e theksoj edhe një herë, në vitin 2012 kur presidenti aktual e mori federatën, ne kishim pesë sportistë për Olimpiadë, ndërsa sot nuk kemi asnjë. Pra nga pesë, në zero”, deklaron shtangisti kuqezi.

APELI PËR MINISTRINË
Erkand Qerimaj i bën thirrje Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit që të monitorojë me kujdes Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, duke radhitur disa shqetësime. “Në radhë të parë mendoj që ministria duhet të ndërmarrë disa ndryshime. Të auditojë federatën: ku shkojnë fondet? Janë bërë disa zgjedhje, të cilat gjithashtu duhet të auditohen, nëse janë bërë në mënyrë të ligjshme.
Unë i pari dhe shumë të tjerë që kemi qenë anëtarë të asamblesë, pra ne që e kemi themeluar, jemi hequr nga e drejta e votës dhe nuk dihet ende se si. Sepse për t’u hequr apo për t’u shtuar ndonjë anëtar, duhej të votonim vetë në asamble. Pra, janë bërë largime dhe afrime anëtarësh pa vendime asambleje, duke vendosur njerëz sipas dëshirës dhe duke futur shoqata për vota. Kjo gjë kërkon ndërhyrje urgjente nga ministria dhe duhet të kontrollohet gjithçka”. \
FONDET
Një tjetër kërkesë ka të bëjë edhe me auditimin e fondeve në FSHP. “Gjithashtu duhet të ketë auditim për fondet, a po shkojnë këto para në drejtimin e duhur? A po përdoren siç duhet? Duhet të ketë transparencë edhe për sponsorizimet për të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar në Shqipëri. Ato para duhet të shkojnë për trajnerët dhe sportistët, por ne nuk e dimë ku përfundojnë, pasi kjo gjë nuk diskutohet asnjëherë në asamble. Mendoj që çdo komunitet sportiv duhet të ketë debat konstruktiv, pasi vetëm kështu mund të përmirësohen gjërat.
Këto problematika janë ekzistenciale dhe duhet të zgjidhen, sepse po vjen edhe Olimpiada tjetër dhe situata është e vështirë. Peshëngritja në Shqipëri është pasuri kombëtare, pasi ne kemi nxjerrë kampionë bote edhe për Greqinë me sportistë tanë, ndërsa tani kemi mbërritur në një pikë që po kërkojmë të marrim peshëngritës nga Nigeria dhe Kenia. Nuk jam kundër afrimit të sportistëve nga jashtë, por jo në një sport ku kemi prodhuar gjithmonë talente dhe kampionë”, përfundon kampioni i shtangës shqiptare.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













