SHTANGË MOSHAT/ Hapet Europiani në Durrës, shqiptarët “kapen” pas Kofshës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2025 | 15:10

SHTANGË MOSHAT/ Hapet Europiani në Durrës, shqiptarët “kapen” pas Kofshës

Kampionati Europian i Peshëngritjes për Juniorë dhe U23 ka ngritur dje siparin me ceremoninë e hapjes në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.kofshaNjë eveniment i rëndësishëm moshash që do të zhvillohet në Durrës, me garat që do të vijojnë deri më datë 4 nëntor. Një eveniment që sjell në vendin tonë shtangistët më premtues të kontinentit, ndërsa në pedanë do të ngjitët edhe peshëngritësit kuqezi. Shqipëria përfaqësohet në Europian me gjashtë sportistë për Juniorë dhe një në kategorinë U-23. Me pritshmëri të larta vjen në këtë aktivitet Ertjan Kofsha, i cili futet më i karikuar se kurrë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska flet për objektivat në Europian: “Jemi drejt përfundimit të seancave stërvitore, të cilat i kemi zhvilluar tepër cilësore. Pra mund të them jemi gati për Europianin e të rinjve. Kjo garë zhvillohet në shtëpinë tonë, kështu që do të jetë gara jonë. Jam i bindur që Ertjan Kofsha do të jetë pa diskutim kampion europe dhe të thyejë dhe rekorde. Mezi po e presim garën. Gjendja e Kofshës është shumë e mirë dhe ndihem tepër optimist. Jemi përgatitur shumë, pasi duam ta arrijmë me çdo kusht objektivin. Kundërshtarët e Ertjanit janë të fortë dhe do përballemi denjësisht me ta, ku do ti mposhtim dhe të ngremë lart flamurin tonë kuqezi. Kërkojmë që pallati i sportit ‘Ramazan Njala’ të mbushet plot, pasi duam mbështetje maksimale në këtë garë. Sidomos nga e gjithë zona e madhe territoriale e Cërrikut, si dhe nga fshati i kampionëve Shtërmeni. Nuk do ti zhgënjejmë, por do ti kënaqim me rezultatet tona. Falenderoj Bashkinë Cërrik dhe federatën e peshëngritjes për mbështetjen që na ka dhënë gjithmonë”, deklaron trajneri Toska.

Ertjan Kofsha do të mbyllë garat kuqezi në Europian, teksa do të konkurrojë më datë 2 nëntor në orën 13:00 në kategorinë e juniorëve për peshat 94 kg. Përveç Kofshës, për Shqipërinë në Kampionatin Europian do të konkurrojnë edhe Samuel Bishanaku, Antonino Mullisi, Sajmir Lagja, Enkileda Carja, Gea Dokollari dhe Maida Lozi, ndërsa në tabelë pasqyrohen datat dhe oraret e garave për peshëngritësit kuqezi.ftMARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL