SHTANGË MOSHAT/ Europiani në Durrës, 3 kuqezinjtë e parë dalin pa medaljeve
Prej datës 28 tetor në Durrës po zhvillohet Kampionati Europian i Peshëngritjes për juniorë dhe U-23. Në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental në shtangën e moshave përfaqësohet edhe Shqipëria, teksa tashmë për Kombëtaren Kuqezi i kanë përfunduar garat 3 sportistë, por pa mundur që të bëhen pjesë e zonës së medaljeve.

Kështu, garat e Kombëtares së të rinjve në Europian i hapi Samuel Rrasa, i cili konkurroi të mërkurën në kategorinë e peshave 79 kg për juniorë, duke e nisur nga Bateria B. Rrasa regjistroi 126 në shkëputje, duke u renditur në vendin e 11-të. Në shtytje ngriti 156 kg, për tu pozicionuar në vendin e nëntë, ndërsa me 282 kg gjithsej e mbylli dygarëshin në vendin e dhjetë. Përfaqësimi i Shqipërisë vijoi dje me Antonino Mullisin në peshat 79 kg për juniorë në Baterinë B.
Mullisi shënoi 129 kg në shkëputje, duke zënë vendin e tretë në bateri. Në shtytje regjistroi 158 kg për t’u klasifikuar i dyti, ndërsa me 287 kg e mbylli dygarësishin në vendin e dytë në Baterinë B. Një rezultat që sigurisht e mban larg zonës së medaljeve, me Baterinë A që do të zhvillohet sot në orën 13:00. Më tej në mbrëmje ishte radha për Sajmir Lagjën, peshëngritësin e vetëm të Kombëtares që konkurron në kategorinë U-23 të Europianit. Lagja regjistroi 124 kg në shkëputje, duke zënë vendin e tetë, në shtytje bëri më mirë, teksa u rendit i shtati me 157 kg. Ndërkohë me 274 kg në total, peshëngritësi shkodran e përfundoi dygarëshin në vendin e tetë.
Përfaqësimi kuqezi do të vijojë sot me Enkileda Carjen, e cila konsiderohet edhe si sportistja me të ardhmen më të madha në shtangën shqiptare. Ndonëse është nën moshë, vetëm 17 vjeç, ajo do të matë forcat në garat për U-20 në kategorinë e peshave 63 kg. Gara e Carjes do të nisë në orën 15:00, me sportistet elbasanase të Teutës që do të kërkojë të mahnitë sërish në arenën ndërkombëtare. Një tjetër peshëngritës me pritshmëri të larta për medalje është Ertjan Kofsha, i cili do të ulë siparin e Shqipërisë në Europian, teksa do të konkurrojë më datë 2 nëntor në kategorinë e peshave 94 kg për juniorë.
PANORAMASPORT.AL













