SHTANGË/ Kofsha shkëlqeu në Kupë, Toska: Jemi gati për 9 rekorde europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2025 | 11:07

SHTANGË/ Kofsha shkëlqeu në Kupë, Toska: Jemi gati për 9 rekorde europiane

Kampioni i talentuar i ekipit të Shtërmenit, Ertjan Kofsha, theu rekordin europian për të rinj duke ngritur 193 kg në Kupën e Shqipërisë, aktivitet i zhvilluar vetëm pak ditë më parë në Tiranë.FDSGNë një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska flet për garën e Kupës dhe pritshmëritë e larta që ka me sportisti e tij në eventet e radhës: “Bëmë një garë shumë të mirë në Kupën e Shqipërisë, ku talenti me të ardhme të ndritur, Ertjan Kofsha, theu rekordin europian për të rinj. Një rezultat i shkëlqyer nga një djalë, i cili po rritet dita-ditës si sportist. Kjo më gëzon pa masë, pasi jemi përgatitur dhe po përgatitemi intensivisht çdo ditë. Nuk ka pushim për ne, sepse në tetor na pret një tjetër garë shumë e fortë. Në Botërorin e të rriturve, në Forde të Norvegjisë, Ertjan Kofsha do të synojë të thyejë rekorde 9 europiane për të rinj. Është një objektiv i madh, por ne besojmë se do ta realizojmë dhe do të hyjmë në histori. Po në tetor do të zhvillohet edhe Kampionati Europian për të rinj në Durrës. Kjo do të jetë gara e tij, ku synimi është të shpallet kampion Europe dhe të thyejë sërish rekorde. Pas kësaj gare, do të marrim pjesë në Lojërat Islamike, ku gjithashtu do të kërkojmë rezultate shumë të mira. Më pas, do të vijojë Kampionati Ballkanik, një tjetër ngjarje e rëndësishme, ku ne do të japim maksimumin për të qenë më të mirët. Në fund të vitit, në dhjetor, do të udhëtojmë drejt Kazakistanit për të marrë pjesë në garën e fundit të vitit 2025. Edhe aty synojmë medalje dhe paraqitje dinjitoze. Pra, na presin edhe pesë gara të tjera shumë të forta, por ne do t’ia dalim, si gjithmonë. Me këtë rast dua të falenderoj partnerët tanë, Bashkinë Cërrik dhe Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, për mbështetjen që në japin”, përfundon trajneri punëtor i Shtërmenit, i cili po i dhuron shtangës shqiptare një tjetër kampion, Ertjan Kofshën.

M.Miraka-PANORMASPORT.AL