SHTANGË/ Enkileda Carja, dopietë bronzi në Kampionatin Botëror për të reja
Vetëm pak ditë pas pjesëmarrjes në Europianin e të rriturave, Enkileda Carja është ngjitur sërish në pedanë, teksa dje ka garuar në Botërorin U-20, kompeticion që po zhvillohet në Ismailia të Egjiptit.

Vajza e artë e peshëngritjes shqiptare ka patur progres në rezultatet e saj, duke regjistruar dy medalje bronzi në Botërorin U-20. Ndonëse vetëm 18- vjeçare, Enkileda shkëlqeu me rivale më të mëdha në moshë në kategorinë e peshave 69 kg. Carja, e cila e nisi garën nga Bateria B, u shfaq në formë fantastike, duke regjistruar 104 kg në stilin e shkëputjes, për tu renditur në vendin e katërt.
Në shtytje do të bënte më mirë, teksa me 125 kg do të fitonte medaljen e bronzit. Ndërkohë, me 229 kg në dygarësh do të vinte një tjetër medalje bronzi për të, duke ngjitur kështu dy herë në podium flamurin shqiptar. Në Botërorin e të rinjve në Egjipt për Shqipërinë ka shkëlqyer gjithashtu edhe Samoel Rrasa, i cili garoi më datë 3 maj.
Rrasa u shpall nënkampion botë ne stilin e shkëputjes, me rezultatin 134 kg në kategorinë 65 kg. Në shtytje u klasifikua i pesti me 156 kg, ndërsa në total e mbylli i katërti me 290 kg.
PANORAMASPORT.AL













