Shtanga në Shtërmen, Toska: Me Kofshën shohim drejt Olimpiadës
Ndonëse është kohë vere dhe pushimesh, në palestrën e Shtërmenin vijon të tundet pedana e peshëngritjes, me seancat stërvitore që nuk ndalen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska tregon situatën në ekipin e tij, duke u ndalur tek objektivat me talentin Ertjan Kofsha.

“Po stërvitemi fort me dy seanca në ditë, pa pushuar. Nëse do të arrijmë sukseset që kemi premtuar, na duhet punë e madhe për garat e forta që na presim. Kemi tri të tilla në tetor dhe për këtë gjë po përgatitemi maksimalisht.
Do të konkurrojmë në peshat e reja, ku kampioni Ertjan Kofsha do të jetë tashmë në peshën 94 kg. Në garën e kontrollit që bëmë përpara pak ditësh, Kofsha theu rekordin me 161 kg. Kjo nuk është pak dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm, duke mos e ndalur për asnjë moment stërvitjen.
Kam besim që viti 2025 do të jetë viti ynë dhe garën jo të mirë të Perusë e kemi lënë pas krahëve. Gjithashtu, Kofsha po përgatitet edhe për Lojërat Olimpike, ku do filloj që tani të mbledhë pikët e mundshme. Me këtë rast dua të falënderoj Bashkinë Cërrik dhe federatën për mbështetjen që na japin”, deklaron trajneri i shtangës shtërmenase, Leonard Toska.
PANORAMASPORT.AL













