Shkodra vishet kuqeblu/ Festë e madhe për 107-vjetorin e Vllaznisë
Shkodra vishet kuqeblu këtë fundjavë. Të dielën, para sfidës së kampionatit ndaj Elbasanit, KF Vllaznia Shkoder do të zhvillojë një ceremoni madhështore me rastin e 107-vjetorit të themelimit të klubit, duke e kthyer stadiumin “Loro Boriçi”, në epiqendrën e festës kuqeblu.

E themeluar më 16 shkurt 1919, Vllaznia mban me krenari statusin e klubit të parë dhe më të vjetër në vend. Një histori e gjatë, e mbushur me trofe, emocione dhe breza të tërë futbollistësh që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Sot, 107 vite më pas, tradita dhe ambicia ecin krah për krah.
FESTË ME TIFOZËT DHE SURPRIZA SPECIALE
Sipas programit të përgatitur nga klubi, ceremonia festive do të nisë përpara startit të ndeshjes, në prani të mijëra tifozëve. Në “Loro Boriçi” pritet një spektakël i vërtetë me fishekzjarre, këngëtarë dhe artistë të ftuar, si dhe shumë surpriza të tjera që do ta bëjnë këtë përvjetor të paharrueshëm për komunitetin kuqeblu. Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, jo vetëm për shkak të festës, por edhe për momentin e artë që po kalon skuadra. Vllaznia kryeson kampionatin aktual dhe shihet si pretendenti numër një për fitimin e titullit, duke i dhënë kështu edhe më shumë peshë këtij përvjetori historik.
FANELLË E RE PËR 107 VITE HISTORI
Gazeta mëson se në fushë, përballë Elbasanit, skuadra do të zbresë me një fanellë të re speciale, e dedikuar pikërisht 107-vjetorit të themelimit të klubit. Një detaj simbolik, që pritet të ndërthurë elementë historikë me dizajnin modern, si homazh për rrugëtimin e gjatë të Vllaznisë. Një përvjetor që nuk është thjesht një datë në kalendar, por një kapitull i ri në historinë e një klubi legjendar. Të dielën, Shkodra feston të shkuarën me krenari dhe sheh nga e ardhmja me besim, me Vllazninë në krye dhe me titullin kampion si objektivin madhor.
PANORAMASPORT.AL













