Shansi për të dalë nga kriza, Partizani përballë kundërshtarit të preferuar
Partizani do të zbresë këtë të diel në fushë ndaj Bylisit me objektivin e vetëm rikthimin te fitorja, në një moment ku skuadra po kalon periudhën më delikate të sezonit.

Të kuqtë vijnë në këtë përballje pas katër ndeshjesh pa fitore, me dy humbje dhe dy barazime që kanë vënë në diskutim pozicionin e tyre në garën për “Final Four”, duke e bërë sfidën ndaj ballshiotëve një nga më të rëndësishmet e javëve të fundit. Në letër, Bylisi duket kundërshtari ideal për Partizanin në këtë moment të vështirë. Bilanci i këtij sezoni mes dy skuadrave flet qartë në favor të kryeqytetasve, të cilët kanë marrë maksimumin e mundshëm në tre përballjet e deritanishme.
Tre ndeshje, tre fitore dhe nëntë pikë të plota janë tregues i superioritetit që Partizani ka pasur ndaj ballshiotëve përgjatë këtij edicioni. Këto statistika e bëjnë sfidën ndaj Bylisit një mundësi ideale për skuadrën e Oltijon Kërnajës që të ndërpresë serinë negative dhe të rikthejë qetësinë në ambientin e kuq. Në një fazë të sezonit ku presioni është në rritje dhe diferencat në renditje janë minimale, një fitore do të kishte rëndësi jo vetëm në aspektin matematikor, por edhe në planin psikologjik për një skuadër që ka nevojë urgjente për të rikthyer besimin.
Megjithatë, pavarësisht statistikave pozitive, Partizani nuk mund të lejojë asnjë nënvlerësim ndaj një kundërshtari që lufton për mbijetesë dhe që në këtë fazë të kampionatit ka nevojë jetike për çdo pikë. Pikërisht ky fakt pritet ta bëjë Bylisin një rival të vështirë, pavarësisht precedentëve jo pozitivë ndaj të kuqve. Për Partizanin, rëndësia e kësaj ndeshjeje shkon përtej tri pikëve. Një sukses ndaj Bylisit do t’i jepte skuadrës mundësinë të rikthehej me moral të lartë dhe më shumë qetësi përpara derbit të kryeqytetit ndaj Tiranës, një tjetër përballje me peshë të madhe në sprintin final të kampionatit.
Duke qenë se derbi mund të rezultojë vendimtar në ecurinë e sezonit, hyrja në atë sfidë pas një fitoreje do të ndryshonte ndjeshëm atmosferën brenda grupit. Nga ana tjetër, çdo rezultat tjetër përveç fitores do të shtonte më tej presionin mbi skuadrën dhe do ta komplikonte ndjeshëm situatën në javët e mbetura të kampionatit.
Kjo e bën sfidën ndaj Bylisit një ndeshje ku Partizani nuk ka më luksin të gabojë. Në një sezon ku të kuqtë kanë treguar shpesh se dinë të reagojnë në momentet e vështira, përballja e së dielës shihet si testi ideal për të kuptuar nëse skuadra është ende në gjendje të mbajë nën kontroll fatin e saj në garën për katërshen e parë. Për Partizanin, tani më shumë se kurrë, fitorja nuk është thjesht objektiv, por domosdoshmëri.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













