Samoel Rrasa, nënkampion bote në stilin e shkëputjes për U-20
Peshëngritja shqiptare ka shënuar një rezultat të madh në Kampionatin Botëror për të rinj që po zhvillohet në Ismailia të Egjiptit. Samoel Rrasa ka bërë paraqitje të shkëlqyer, duke fituar një medalje argjendi në kompeticionin më të rëndësishëm të shtangës në rang moshash.

Rrasa, i cili konkurroi në Baterinë A të peshave 65 kg, u shpall nënkampion bote në stilin e shkëputjes, duke regjistruar rezultatin 134 kg. Në shtytje ai ngriti 156 kg, duke u renditur në vendin e pestë, ndërsa e mbylli dygarëshin në vendin e katërt me 290 kg. Kështu talenti 18-vjeçar i shtangës shqiptare e mbyll me shkëlqim, duke ngritur flamurin shqiptar në podium. Kujtojmë që Samoel Rrasa është një peshëngritës i Shtërmenit të trajnerit Leonard Toska, një skuadër që vazhdon të prodhojë elementë shumë cilësorë të shtangës shqiptare.
Ndërkohë, më 5 maj radhën për të konkurruar do ta ketë vajza e artë e shtangës shqiptare, Enkileda Carja, e cila do ta nisë ga Bateria B e kategorisë së peshave 69 kg. Carja futet gjithashtu me pritshmëri të larta në këtë aktivitet, duke synuar vend në zonën e medaljeve.
PANORAMASPORT.AL













