Rruga drejt Superiores nis nga fitorja me Besën, Pogradeci jep mesazh force për rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2026 | 9:38

Rruga drejt Superiores nis nga fitorja me Besën, Pogradeci jep mesazh force për rivalët

Pogradeci po kalon një moment shumë pozitiv në kampionat dhe, duke parë formën e fundit si edhe rezultatet e arritura, gjithçka duket e hapur për realizimin e objektivit madhor, ngjitjen në Kategorinë Superiore.POGRADECIEdhe pse aktualisht ndodhen 8 pikë larg kryesuesve të Skënderbeut dhe 5 pikë pas Laçit të vendit të dytë, besimi në kampin liqenor mbetet i lartë. Sigurisht, ky besim shtohet edhe nga ecuria e fundit, ku ekipi ka mare 12 pikë në katër ndeshjet e fundit. Të besuarit e trajnerit Emiljano Çela janë të vetëdijshëm se rruga drejt elitës kërkon vazhdimësi dhe përqendrim maksimal. Prova e radhës për pogradecarët vjen sot, në një transfertë delikate ndaj Besës në fushën e Luzit. Pavarësisht vështirësisë së përballjes, në klub mbizotëron bindja se objektivi është plotësisht i arritshëm dhe se gjithçka nis nga sigurimi i tre pikëve në këtë duel, i cili do të luhet në orën 15:00. Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, klubi ka përcjellë një mesazh të fortë mobilizues për skuadrën dhe tifozët, duke kërkuar qetësi, unitet dhe besim në rrugën drejt suksesit.

JA DEKLARATA E KLUBIT POGRADECAR: “Na pret një përballje e rëndësishme në transfertë ndaj Besës së Kavajës. Liqenorët zbresin në fushë me zemër, karakter dhe besim për të dhënë maksimumin dhe për të mbrojtur me krenari ngjyrat tona. Çdo ndeshje është një betejë dhe çdo pikë ka vlerë të jashtëzakonshme. Edhe pse larg shtëpisë, jemi të bashkuar dhe të vendosur për të luftuar deri në fund. Presidenti Armand Lilo është shtylla kryesore e liqenorëve në këtë rrugëtim drejt Superiores. Me përkushtimin, mbështetjen dhe besimin e tij të palëkundur, skuadra vazhdon të synojë objektivin më të madh, ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Vizioni dhe puna e palodhur e presidentit shërbejnë si motivim i madh për lojtarët, stafin dhe tifozët. Kur pas një skuadre qëndron një njeri që beson fort te suksesi, rruga drejt Superiores bëhet edhe më e fortë. Së bashku, me unitet dhe mbështetje, liqenorët do të vazhdojnë të luftojnë për ëndrrën që na bashkon të gjithëve. Forca Liqenorë!”

PANORAMASPORT.AL