“Roza Haxhiu” mbetet tabu për Ilirinë, para dy vitesh Lushnja i mohoi ngjitjen në të Parën
Lushnja luan të dielën një nga sfidat më vendimtare të sezonit, që mund të konsiderohet si “treni i fundit” për mbijetesën. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Bano pret në stadiumin “Roza Haxhiu” Ilirinë, që ndodhet në zonën “play off”. Iliria mban vendin e katërt me 38 pikë, ndërsa Lushnja renditet e parafundit me 26 pikë.

Diferenca është e ndjeshme, por matematikisht shpresat e lushnjarëve për shpëtim mbeten ende gjallë. Përballë një rivali që synon të ruajë pozitat në zonën “play off”, vendasit do të luajnë gjithçka për gjithçka. Një element që favorizon Lushnjën është historia e përballjeve direkte në “Roza Haxhiu”, një impiant që është kthyer në një tabu të vërtetë për Ilirinë. Në duelet e zhvilluara mes këtyre dy skuadrave në këtë stadium në 15 vitet e fundit, fushëkrujasit nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë. Kujtimi më i hidhur për Ilirinë mbetet finalja e 16 majit të dy viteve më parë, kur dy ekipet u përballën në një ndeshje vendimtare për qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Atëherë, lushnjarët triumfuan me rezultatin 2-0 falë golave të Kasmollarit dhe Dragoit, të shënuar në minutën e 4-t dhe të 93-të. Ajo fitore i siguroi Lushnjës mbijetesën, ndërsa Iliria mbeti në Kategorinë e Dytë, objektiv që e realizoi vetëm një sezon më vonë duke u ngjitur si kampione. Kjo e diel u jep fushëkrujasve mundësinë ideale për të thyer “mallkimin” e “Roza Haxhiut” dhe për të marrë njëfarë hakmarrjeje sportive për atë humbje që u kushtoi shumë. Në këtë fazë të kampionatit, Lushnja duket skuadër më e karikuar. Verdhejeshilët luajnë mbijetesën dhe nuk kanë më asgjë për të humbur, çka e bën këtë sfidë jetike për ta. Nga ana tjetër, Iliria vjen më e qetë, e pozicionuar brenda objektivave të sezonit.
Qëndrimi i gjatë në vendin e katërt duket se ka sjellë njëfarë relaksi në radhët e skuadrës, gjë që është reflektuar edhe në paraqitjet e javëve të fundit. Pikërisht për këtë arsye, sfida e së dielës pritet të jetë e hapur dhe shumë e luftuar. Lushnja për mbijetesë, Iliria për të thyer tabunë. Dhe kur në lojë janë historia, presioni dhe objektivat sezonale, “Roza Haxhiu” premton një tjetër duel me emocione të forta.
PANORAMASPORT.AL













