Rivalët e fundit, bardheblutë e Tiranës nuk kanë asnjë fitore
Tirana hyn në tre ndeshjet e mbetura të sezonit me një barrë të rëndë mbi supe. Përballë Teutës, Vllaznisë dhe Elbasanit, bardheblutë nuk kanë asnjë fitore këtë edicion.

Një statistikë që flet qartë për vështirësitë e skuadrës dhe për situatën kritike ku ndodhet, duke luftuar hapur për mbijetesë. Ndaj Teutës, Tirana ka marrë vetëm dy pikë në tre përballje, me barazimet 0-0 dhe 1-1, ndërsa është mundur 0-1 në ndeshjen e fundit. Një bilanc që tregon mungesë force për të mbyllur ndeshjet në favorin e saj.
Edhe përballjet me Vllazninë nuk kanë sjellë asnjë sukses. Dy humbje 1-3 dhe një barazim 1-1 tregojnë se Tirana ka hasur vështirësi serioze përballë një rivali direkt, duke lënë pikë të rëndësishme gjatë rrugës. Më problematike mbetet seria ndaj Elbasanit.
Humbja e thellë 1-4, barazimi 1-1 dhe disfata 0-1 konfirmojnë një superioritet të kundërshtarit dhe një Tiranë që nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje.

Në prag të tre ndeshjeve të fundit pikërisht ndaj këtyre kundërshtarëve, fakti që Tirana nuk ka asnjë fitore ndaj tyre e bën situatën edhe më alarmante. Presioni është maksimal dhe çdo gabim mund të kushtojë shumë shtrenjtë. Tashmë nuk ka më vend për llogari. Tirana duhet të thyejë këtë “ters” negativ pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit, nëse dëshiron të sigurojë mbijetesën dhe të shmangë një fund dramatik.
PANORAMASPORT.AL













