Risitë me Flamurtarin, si trajneri Kërnaja debutoi te Partizani
Partizani mori fitore me shumë rëndësi në Vlorë. Të kuqtë triumfuan me rezultatin 0-1 përballë Flamurtarit, në sfidën e vlefshme për javën e shtatë të Superiores. Oltijon Kërnajës iu besua drejtimi i ekipit, ndërsa ndaj vlonjatëve kishte disa ndryshime me peshë në formacion. Jo vetëm kaq, por u dallua rikthimi i Xhuliano Skukës si kapiten. Kërnaja bëri zgjedhjet e tij, që rezultuan të duhurat.

DA SILVA- Për herë të parë në këtë edicion, brazilianit iu besua vendi i titullarit. Da Silva luajti 56 minuta, për t’i lënë më pas vendin Bintsukës. 30-vjeçari ishte edhe lojtari me moshën më të madhe në kontingjentin e Partizanit në transfertën e Vlorës. Da Silva kontribuonte në edicionin 2022/23 si një ndër më të rëndësishmit, ndërsa u fitua titulli kampion. Kërnaja vlerësoi eksperiencën në Vlorë duke i besuar fanellën e titullarit.
ÇIPI- Surpriza e madhe ishte aktivizimi i Mateo Çipit. Vlonjatit iu besua një vend në qendër të mbrojtjes krah Saliu Sembenes. Vendim që erdhi për shkak të mungesës së Marçelino Prekës, i cili gjithsesi pritet të kthehet këtë javë në fushë. Për Çipin ishin minutat e para në këtë sezon. Debutimi i Çipit te Partizani erdhi në “Final Four” kundër Dinamos, përgjatë edicionit të kaluar. Kështu minutat në Vlorë ishin të arta dhe paraqitja e vlonjatit po ashtu rezultoi pozitive. Çipi ishte pafat, edhe pse u preferua para Altin Bytyçit dhe Prekës. Në minutën e 27-të duhet të largohej nga fusha e blertë, për shkak dëmtimi. Vendin e tij e mori Janjeva.
SKUKA- Dënimi për Skukën pas përplasjes me Garsian ka përfunduar. Sulmuesi dibran është në harmoni me gjithë pjesën tjetër të skuadrës. Kërnaja ia besoi pikërisht Skukës, shirtin e kapitenit në Vlorë. Në mungesë të Hoxhës dhe Prekës, ishte pikërisht Skuka që e udhëhoqi skuadrën. Pasi la fushën e lojës në pjesën e dytë, shiritin e kapitenit e mori Albion Marku. Të gjithë sakrifikuan në Vlorë, ndërsa fitorja e nxori ekipin nga zona e ftohtë.
EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL













