Rikthehet Kategoria e Parë! “5 finale për gjithçka”, garë për elitë dhe mbijetesë, ja çfarë pritet nga java e 29-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2026 | 8:32

Rikthehet Kategoria e Parë! “5 finale për gjithçka”, garë për elitë dhe mbijetesë, ja çfarë pritet nga java e 29-të

Kategoria e Parë hyn në një nga momentet më vendimtare të sezonit, teksa kjo fundjavë sjell javën e 29-të dhe vetëm pesë raunde kanë mbetur deri në mbylljen e kampionatit të rregullt. Diferencat në krye janë minimale, ndërsa edhe në fund të tabelës çdo pikë peshon sa një sezon i tërë.

kategoria-e-pare-1

Me formatin që favorizon dy vendet e para për ngjitje direkte dhe me “play off”-et që mbajnë gjallë shpresat për disa skuadra, kjo javë pritet të japë sinjale të forta për fatet e kampionatit. Po çfarë pritet nga java 29? Kjo javë mund të jetë një pikë kthese si për garën për titull, ashtu edhe për mbijetesën. Në krye, Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci janë në një duel të fortë ku çdo hap i gabuar mund të ndryshojë renditjen.

Ndërkohë, zona e “play off”- it mbetet e hapur dhe disa skuadra do të luftojnë deri në fund për të siguruar një vend mes gjashtë më të mirëve. Në fund të tabelës, situata është edhe më dramatike. Lushnja dhe Luftëtari luajnë praktikisht shanset e fundit, ndërsa Kukësi dhe Apolonia kërkojnë të shmangin rënien direkte apo “play out”-in. Me vetëm pesë javë nga fundi, çdo ndeshje tashmë ka peshën e një finaleje dhe java e 29-të pritet të japë sinjale të qarta për atë që do të jetë fundi i këtij sezoni dramatik në Kategorinë e Parë.

SOT, ORA 15:00 SKËNDERBEU – ILIRIA Skënderbeu vjen si lider me 67 pikë dhe me një ritëm të qëndrueshëm gjatë gjithë sezonit. Përballë një Ilirie që lufton për zonën “play off”, korçarët nuk kanë luksin e gabimit, sidomos në shtëpi. Diferenca cilësore është në favor të vendasve, por Iliria ka treguar se di të hapë probleme ndaj skuadrave të mëdha. Gjithsesi, pritet një Skënderbe dominues që synon të mbajë distancën në krye.

LAÇI – BURRELI Laçi është vetëm 3 pikë larg vendit të parë dhe çdo hap fals mund të rezultojë fatal në garën për titull. Barazimi i fundit ka shtuar presionin dhe ndaj Burrelit objektivi është i qartë, vetëm fitore. Nga ana tjetër, Burreli kërkon pikë për të siguruar pozitat në mesin e artë dhe për të mos rrezikuar rrëshqitjen. Diferenca në cilësi dhe objektiva e bën Laçin favorit, por ndeshja nuk pritet e lehtë.

POGRADECI – KASTRIOTI Pogradeci, me 61 pikë dhe 7 fitore radhazi, është në ndjekje të dyshes kryesuese dhe çdo gabim mund ta nxjerrë jashtë garës për dy vendet e para. Përballë ka një Kastriot të paparashikueshëm, që lufton për zonën “play-off” dhe që shpesh është i rrezikshëm ndaj skuadrave të forta. Ndeshja pritet e balancuar, por liqenorët kanë avantazhin e fushës dhe motivimin për të qëndruar në garë. Lushnja – Korabi Lushnja ndodhet në një situatë kritike dhe çdo ndeshje tashmë është një “finale”. Me vetëm 22 pikë, verdhejeshilët nuk kanë alternativë tjetër veç fitores. Korabi, nga ana tjetër, është më i qetë në renditje, por ende jo i sigurt dhe kërkon pikë për të shmangur çdo surprizë. Presioni është total mbi vendasit, çka mund të ndikojë edhe në ecurinë e takimit.

KUKËSI – APOLONIA Një përballje direkte për mbijetesën, ku të dyja skuadrat kanë nevojë jetike për pikë. Kukësi, pavarësisht emrit, po kalon një sezon të vështirë dhe ndodhet në zonë të rrezikshme. Apolonia gjithashtu nuk është e sigurt dhe një humbje mund ta komplikojë ndjeshëm situatën. Kjo është një ndeshje ku pritet shumë tension dhe pak hapësira, ku detajet mund të bëjnë diferencën.

NESËR, ORA 15:00 LUFTËTARI – BESA Në Gjirokastër përballen dy skuadra që kërkojnë të shmangin zonën e rrezikut. Luftëtari ndodhet në vendet e fundit dhe çdo pikë është jetike, ndërsa Besa synon të qëndrojë larg “play out”-it. Ndeshja pritet e luftuar dhe me ritëm të lartë, pasi të dy ekipet kanë objektiva të qarta dhe presion maksimal, kryesisht te vendasit.

PANORAMASPORT.AL