Revolucion në Lushnjë, Bashkia gjen formulën për të shitur klubin “me pjesë”
Hapet një kapitull i ri për futbollin lushnjar. Në mbledhjen e fundit të muajit mars, Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka marrë një vendim historik duke i dhënë “dritën jeshile” privatizimit të klubit të futbollit Lushnja, një hap që synon ndryshimin rrënjësor të situatës aktuale.

Kryebashkiakja Eriselda Sefa bëri të ditur se 70% e aksioneve të klubit do të dalin në shitje për investitorë privatë, ndërsa 30% do të mbeten në pronësi të Bashkisë Lushnjë, për të garantuar vazhdimësinë dhe identitetin e klubit. Vendimi u miratua unanimisht nga të gjithë këshilltarët bashkiakë, të cilët votuan pro duke ngritur kartonët jeshilë.
Në fjalën e saj, Sefa theksoi: “Është vendosur të vijojmë me procedurën e privatizimit të klubit të futbollit, por këtë herë jo me shitjen e 100% të aksioneve. 70% do të dalë në shitje, ndërsa 30% do t’i mbetet Bashkisë Lushnjë, në mënyrë që të ruhet vazhdimësia e klubit. Sipas procedurave, ky propozim do të kalojë në asamble dhe më pas do të nisim me hapjen e ankandit për shitjen e aksioneve”.
Ky vendim është konsideruar nga këshilltarët si një ditë e veçantë për futbollin e qytetit, sidomos duke pasur parasysh dështimet e mëparshme në përpjekjet për privatizim. Formula 70% me 30% shihet si më tërheqëse për investitorët, pasi ofron një balancë mes kapitalit privat dhe garancisë institucionale të bashkisë.
Pas miratimit unanim, kryebashkiakja ka urdhëruar menjëherë ngritjen e grupit të punës për të vijuar procedurat dhe për të hapur zyrtarisht ankandin për shitjen e 70% të aksioneve të klubit. Ky zhvillim vjen në një moment të vështirë për ekipin lushnjar, i cili aktualisht renditet në vendet e fundit të Kategorisë së Parë. Rezultatet e dobëta kanë detyruar bashkinë të ndërmarrë këtë hap të guximshëm, me shpresën se hyrja e investitorëve të rinj do të sjellë stabilitet financiar dhe rikthimin e klubit në nivelet që i takojnë.
Sipas burimeve pranë klubit, interesi nga sponsorë potencialë tashmë ekziston, por emrat e tyre pritet të bëhen publikë në një fazë të mëvonshme. Tashmë, sytë janë nga ankandi dhe nga e ardhmja e një prej klubeve më tradicionale të futbollit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













