Reportazh i “Panorama Sport”/ Himara, qyteti pa futboll se nuk ka shumë… fëmijë
Himara ka pasur shkëlqimin e vet në futboll dhe një jetë aktive e të zhurmshme, por prej vitesh futbolli në këtë qytet ka “vdekur”. Në kohën e komunizmit, ka qenë në Kategori të Parë dhe luftonte denjësisht në garë. Rënia në Kategorinë e Tretë mund të cilësohej si dramë, por ekipi e pati një shpëtim edhe në atë kohë. Legjenda e futbollit vlonjat Vasil Ruci në rolin e drejtorit të klubit dhe Dritan Resuli si trajner, e ngritën skuadrën në Kategorinë e Parë.
Ky moment mbahet mend nga të gjithë himariotët, madje edhe sot. “Panorama Sport”, sjell ekskluzivisht një reportazh nga stadiumi i Himarës, jashtë dhe brenda tij. Fusha është në një gjendje shumë të mirë, falë edhe mirëmbajtjes së bashkisë. Por problemi është se nuk ka njerëz. Po, po nuk ka lojtarë të luajnë futboll. E trishtë, por e vërtetë. Gjatë vëzhgimit tonë, dy djem të rinj, të moshës 16- 17 vjeçare ishin të vetmit që në fushën e pushtuar nga heshtja ushtronin pasionin e tyre të të luajturit futboll, duke pasuar topin tek njëri-tjetri.
Të vetmit spektatorë ishin dy punonjës të bashkisë që merren me ruajtjen e mirëmbajtjen e fushës dhe stadiumit. Me keqardhje ata kujtojnë kohët e arta të Himarës. Njëri prej tyre, më i riu në moshë, që ka luajtur futboll me këtë ekip në kohën kur drejtor ka qenë Vasil Ruci, na thotë shkurtimisht: “Eh, kanë ikur kohët e arta të Himarës. Suksesi ka qenë në kohën e Vasil Rucit, kur edhe unë jam stërvitur me moshat”. Në territorin e fushës dhe tribunave kanë mbetur të gjalla gjurmët që tregojnë se edhe këtu ka pasur dikur jetë.
Në mure sheh të shënime të ndryshe si: KF Himara, Bashkia Himarë dhe përbri edhe tribunat, vendësit, apo miqtë, parë dhomave të zhveshjes. Në katin e dytë, kanë mbetur të paprekura fotot që sjellin jetën e gjallë të futbollit himariot në vite dhe në krye, fotografia e djalit të Himarës, Petro Ruci, emrin e të cilit mban sot ky stadium. Për të mos degraduar, Bashkia e Himarës ka vendosur që fushën ta mirëmbajë gjithë kohës dhe ka vendosur që të spostojë në godinën e klubit dy drejtori të saj: ujësjellësin në katin e parë dhe kadastrën në katin e dytë.
Për “Panorama Sport”, kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro shpreh kënaqësinë që ta kishte një ekip futbolli, por sipas tij në këtë qytet dhe në Njësitë Administrative nuk ka të rinj. Goro na tregon edhe projektet që ka pasur për sportin. “Jam shumë sportdashës dhe e kam mbajtur me shumë pasion ekipin e Himarës, pavarësisht se tani nuk e kemi më skuadrën në aktivitet. E gjithë Bashkia Himare ka 1000 fëmijë, bashkë me fshatrat. Kisha shumë dëshirë që ta mbaja ekipin dhe kam investuar, por nuk ka të rinj dhe filozofia ime ka qenë nisja e punës që nga akademia.
Stadiumi dhe fusha janë në gjendje të mirë, pasi me angazhimin tim, mirëmbajtja nuk mungon. Doja ta bëja një kompleks sportiv këtu pranë stadiumit, bashkë me një pallat sporti për lojërat me dorë. Do të doja që në një të ardhme ekipi i Himarës të ringrihej dhe jam i gatshëm që të bashkëpunojë me çdokënd që e ka një projekt konkret. Por, së pari duhet ta nisim nga fëmijët. Numri i pakët i tyre në territorin e bashkisë sonë, na penalizon”, shprehet Goro.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"