Rekord historik në Greqi për penalltitë e pritura, Foto Strakoshën e nderojnë pas 15 vitesh
“Ky është portieri që priti më shumë penallti”. Kështu shkruhej në kryeartikullin e mediave greke gjatë ditës së djeshme, teksa gjithçka i referohej Foto Strakoshës. Në vitet e fundit po flitet gjithnjë e më shpesh për djalin e tij, Thomas, që aktivizohet te Lacio dhe po shkëlqen, por tashmë është radha e Fotos për të qenë lajm i parë në mediat greke.
Faksimile e mediave greke per rekordin e Foto Strakoshës në vitin 2005
Dje portali i njohur helen sa u përket statistikave në kampionatin grek, “Capitano.gr”, i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar rekordit që ish-portieri i Kombëtares shqiptare vendosi në moshën 40-vjeçare në Superligën helene. “Më 3 prill 2005, Foto Strakosha luajti në kampionat për herë të parë si titullar atë sezon me Panioniosin.

Portieri shqiptar ishte 40 vjeç dhe u kthye në skuadrën nga Nea Smirni për t’i dhënë fund karrierës. Luhej në Korfuz dhe skuadra vendëse përfiton një penallti, e cila u godit nga Ksenofoni Gitas, por Foto e priti atë. Me këtë 11-metërsh, ai arriti në 14 penallti të pritura në karrierën e tij në Superligën greke.
Një shfaqje unike në historinë e kampionatit, pasi Strakosha tejkaloi rekordin e ish-portierit të Panathinaikosit, George Davkos, i cili kishte pritur 13 penallti që nga viti 1995”, shkruante portali grek për rekordin e Strakoshës.
Në Greqi ish-portieri kuqezi, që sot është 55 vjeç, luajti për skuadra si Olimpiakos, PAS Janina, Panionios, Ethnikos Pireu, Ionikos, Kalithea, Kallamata dhe Prodheftiqi. Karrierën e mbylli pikërisht te Panioniosi me një rekord penalltish.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL













