QESHARAKE/ U pezulluan dy përgjegjësit e bazës materiale, mjeku dhe fizioterapisti! Dënimi i Egnatias nga Disiplina u bë me nenin më absurd të rregullores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 14:35

QESHARAKE/ U pezulluan dy përgjegjësit e bazës materiale, mjeku dhe fizioterapisti! Dënimi i Egnatias nga Disiplina u bë me nenin më absurd të rregullores

Komisioni i Disiplinës ka vendosur të dënojë sot Egnatian duke e bërë shembull për të gjithë të tjerët për shkak të braktisjes së fushës në shenjë proteste gjatë ndeshjes ndaj Vllaznisë. Vendimet kanë qenë të bujshme pasi është dënuar trajneri Edlir Tetova dhe praktikisht çdokush që ka qenë në pankinë gjatë ndeshjes në fjalë. Dhe kjo i bën ato qesharake.

WhatsApp Image 2026-03-18 at 14.34.31 (2)

Vendimet e Disiplinës për të gjithë personat e përfshirë, ka qenë i njëjtë. “Për shkelje të parimeve të fair-play, duke shfaqur sjellje josportive dhe vepruar në kundërshtim me integritetin dhe reputacionin e aktivitetit, për shkak të tërheqjes së ekipit nga loja, në bazë të nenit 6/2/a, 8/1 dhe 13 të KDE”.

Dhe në këtë vendim qartësisht janë dënuar trajneri, drejtori apo kapiteni e pjesëtarët direkt të stafit teknik, si përgjegjës për vendimmarrjen. Por jo vetëm ata, pasi Disiplina ka përfshirë me sa duket në procesin e vendimmarrjes për rastin në fjalë në klubin rrogozhinas edhe doktorin Emiliano Bishdili, fizioterapistin Ilir Kapllani, si dhe dy përgjegjësit e materialeve, Alban Hoxha dhe Aldo Sula. Për të gjithë ata që nuk e dinë, përgjegjësit e materialeve janë personat që kujdesen për bazën materiale të ekipeve, e sipas Disiplinës, ata të Egnatias kanë qenë shkaktarë të tërheqjes së ekipit nga loja.

TË DËNUAR NGA DISIPLINA

Edlir Tetova – trajner – 6 muaj

Albano Aleksi – lojtar – 5 ndeshje

Klejdi Zenelaj – drejtor sportiv – 5 ndeshje

Julian Brahja – zëvendëstrajner – 5 ndeshje

Taulant Guma – trajner portierësh – 5 ndeshje

Emiliano Bishdili – doktor – 5 ndeshje

Ilir Kapllani – fizioterapist – 5 ndeshje

Alban Hoxha – Përgjegjës materialesh – 5 ndeshje

Aldo Sula – Përgjegjës materialesh – 5 ndeshje

Por si është e mundur të jepet një vendim i tillë kaq qesharak dhe çfarë bazash ligjore sportive ka? Këtë çështje e ka zgjidhur FSHF falë miratimit me kartonë lart pa ditur çfarë votojnë nga drejtuesit e klubeve në çdo Asamble të tyre. Në rregulloret e KDS janë bërë vazhdimisht ndryshime dhe në një prej tyre është edhe neni më absurd i mundshëm, Neni 8.

Pika 1 e tij, me të cilën janë dënuar të gjithë, lexon si më poshtë:

“Përveç se kur parashikohet ndryshe në këtë Kod, shkeljet dënohen pavarësisht nëse janë kryer me dashje apo nga pakujdesia. Në veçanti, anëtarët dhe klubet pjesëmarrëse në ndeshje apo veprimtari të organizuara nga FSHF mund të jenë përgjegjës për sjelljen e anëtarëve, lojtarëve, zyrtarëve ose mbështetësve të tyre ose çdo personi tjetër që kryen një funksion në emër të tyre edhe nëse anëtari ose klubi në fjalë mund të provojë mungesën e çdo faji apo neglizhence”. 

Një nen i cili bën përgjegjës një klub apo anëtar për çfarëdo lloj shkelje të mundshme, edhe pse provohet mungesa e fajit direkt. Një mënyrë për të dënuar këdo, në cilindo moment, kur Disiplina ta shohë të arsyeshme edhe për ngjarje me të cilat nuk ka lidhje direkte, mjafton të jetë pjesë e një klubi të caktuar.

Për të treguar “shkeljen” e përgjegjësve të bazës materiale, është bërë pjesë e vendimit neni 13, i cili është po aq përgjithësues dhe nuk tregon rastin konkret mbi të cilin është bazuar vendimi për çdo pjesëtar të dënuar nga Egnatia. Ky është një tjetër nen i diskutueshëm pasi mund të merret çdo lloj vendimi ndaj kujtdo që nuk respekton “udhëzimet e qarkoret”, si dhe “cenon reputacionin e FSHF”. E tillë mund të cilësohet çdo lloj ideje ndryshe nga institucioni i futbollit, ndaj edhe është vendosur në rregullore për të bërë të mundur që në çdo lloj momenti, të ekzistojë mundësia për të ndëshkuar këdo. Një tjetër nen i miratuar nga klubet shqiptare pa pyetur asnjëherë se çfarë mund të ndodhë.

Neni 13 Sjellja ofenduese dhe shkelja e parimeve të fair-play
1. Anëtarët e FSHF dhe klubet pjesëmarrëse në ndeshje apo veprimtari të organizuara nga FSHF, si dhe lojtarët e tyre, zyrtarët dhe/ose çdo person që kryen një funksion në emër të tyre, duhet të respektojë në çdo kohë ligjet e lojës, si dhe statutet FSHF, FIFA dhe UEFA si dhe rregulloret, udhëzimet, qarkoret dhe vendimet, dhe të veprojë në përputhje me parimet e lojës së ndershme, besnikërisë dhe integritetit.
2. Për shembull, çdo kush që vepron në një nga mënyrat e mëposhtme, por pa u kufizuar me to, mund të jetë subjekt i dënimeve disiplinore:
a. shkelja e rregullave themelore të sjelljes së mirë;
b. fyerja e një personi fizik ose juridik në çfarëdo mënyrë, veçanërisht duke përdorur gjestet, shenjat ose gjuhë fyese;
c. përdorimi i një ngjarjeje sportive për shfaqje të natyrës josportive;
d. sjellje që cenon reputacionin e sportit të futbollit, FSHF-së, anëtarëve, zyrtarëve dhe/ose pjesëmarrësve të tjerë në veprimtaritë e saj;

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL