“Provë zjarri” në Laç, trajneri Nikaj dhe Burreli kërkojnë kthesën mes presionit
Skuadra e Burrelit, e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, këtë fundjavë do të udhëtojë drejt Laçit, ku e pret një përballje mjaft e vështirë ndaj skuadrës vendase. Pozicioni në renditje dhe ambiciet e bardhezinjve e bëjnë këtë transfertë një sfidë delikate për matjanët.

Ndryshe nga disa rivalë direktë, Burreli ka qëndruar i fokusuar maksimalisht te përgatitjet për këtë ndeshje. Edhe pse gjatë 28 javëve të kampionatit ka pasur luhatje në rezultate, skuadra vazhdon të jetë brenda objektivave, duke u pozicionuar në zonën “play-off”. Megjithatë, gara është shumë e fortë dhe diferencat mes ekipeve janë minimale, çka kërkon përkushtim maksimal në pesë javët e mbetura. “Kemi shfrytëzuar pushimin jo vetëm për përgatitjen e ndeshjes së radhës, por edhe për rikuperimin e lojtarëve. Skuadra aktualisht është në gjendje të mirë dhe kjo më bën optimist për një përballje dinjitoze ndaj Laçit”, u shpreh trajneri Samuel Nikaj për “Panorama Sport”. Statistikat e këtij sezoni nuk janë në favor të matjanëve në përballjet direkte me Laçin.
Burreli i ka humbur të dyja ndeshjet ndaj bardhezinjve, ku më e rënda mbetet disfata 4-0 në fazën e parë, humbja më e thellë e këtij edicioni për ta. Edhe forma e fundit e skuadrës nuk është bindëse, ku në pesë ndeshjet e fundit, Burreli ka regjistruar tre humbje dhe dy barazime, një bilanc që nuk i përshtatet pretendimeve për t’u ngjitur më lart në renditje. Sfida në transfertë ndaj Laçit mund të shërbejë si një pikë kthese për ekipin e Nikajt. Pas 28 javësh, Burreli renditet në vendin e gjashtë me 33 pikë dhe një golavarazh 21-35, duke mbetur ende në garë për objektivat sezonalë.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL













