PROBLEMATIKË E MPREHTË NGA BESNIK DIZDARI/ 60.000 shikues te Schalke 04, 18 mijë në 15 ndeshje të Superiores
Nga BESNIK DIZDARI
U befasova tejet kur u ndala në TV te ndeshja e Kategorisë së Dytë të Gjermanisë (Bundesliga 2), Schalke 04 – K’slautern. U befasova tek pashë tribunat e mbushura plot të një stadiumi aq të madh. Vazhdova më tej dhe gjeta numrin e spektatorëve: 60.000! Dhe ishin ndeshur skuadra e vendit të 1-rë (Schalke 04) me ate të vendit të 6-të (K’slautern), çka do të thotë se kishim të bënim thuajse me një ndeshje rutinë të Bundesligës 2.

Ndërkaq, befas më erdhi një nga numrat e ditëve të fundit të revistës së Gjermanisë, “Kicker”-i i famshëm. Revista botonte mesataren e saktë të spektatorëve në ndeshje. Më doli se Schalke 04 e kishte mesataren e spektatorëve për ndeshje plot 61.538. Mahnitëse! Pra, një skuadër e Kategorisë së Dytë të një shteti ndiqet mesatarisht me mbi 60.000 spektatorë për çdo ndeshje në stadiumin e saj! Dhe kësaj audience të jashtëzakonshme pothuajse i afroheshin edhe skuadrat e tjera. Renditja për pesë të parat përsa i përket mesatares së numrit të spektatorëve për ndeshje ishte kjo:
1. Schalke 61.538
2. Hertha 49.361
3. K’slautern 47.665
4. Hannover 44.685
5. Fortuna D. 40.236
Eshtë sensacionale, apo jo? Mos u hutoni, është Kategori e Dytë, pra: Bundesliga 2!
Kështu u binda se Schalke 04 gjatë Kampionatit të Kategorisë së Dytë të Gjermanisë kishte mesatarisht mbi 60.000 shikues për një ndeshje. Dhe 8 skuadra të tjera kishin mbi 40.000 e 30.000 shikues mesatarisht po për një ndeshje! Kjo është Gjermania edhe në futbollin e saj të Kategorisë së Dytë.
Dhe u ktheva në Shqipërinë time, te ndeshja e fundit Vllaznia – Partizani ku për herë të parë në histori në tribunën karshi nuk kishte gati asnjë spektator! Ndonëse ishte fjala për një ndeshje të skuadrës kryesuese të Kampionatit, që ishte Vllaznia.
Prej këtu shkova te numri i spektatorëve të tri javëve 16, 17, 18 të Kampionatit Kombëtar, pra të Shqipërisë. Këto ishin tri javët që kishin patur numrin më të lartë të spektatorëve. Dhe më doli që të 15 ndeshjet e këtyre tri javëve ishin ndjekur nga 18.200 spekatorë. Çka do të thoshte se ishin ndjekur mesatarisht nga 1213 spektatorë për një ndeshje. Mjerim! Padyshim është më e ulta në Europë. (E Shqipëria dihet, renditet e 44-ta në Europë edhe në ate që njihet si “UEFA Rankings” për klubet). Nuk kemi çka të bëjmë. Për çdo javë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë kemi rregullisht ndeshje deri dhe vetëm 100, 200 apo 300 spektatorë.
Kështu pra, na del se në 15 ndeshje të tana të Kampionatit të 1-rë të Shqipërisë kemi të pranishëm gati sa një e treta e një ndeshje të vetme të Kategorisë së Dytë të Gjermanisë! Mu duk fundi i botës!…
Dhe pa e zgjatur, me një revoltë profesionale po theksoj qysh në fillim të rradhëve të këtij shkrimi se me këte dukuri jam marrë deri aty sa s’ka ku shkon më. Kujtoj se midis rreth 950 shkrimeve që kam botuar tash 16 vjet këtu në “PanoramaSport”, madje edhe në të përditshmen tjetër, ate universale “Panorama”, shkrimet tematike të braktisjes së Kampionatit janë të pafund.
Po si ka mundësi që në gjithë këte problematikë braktisjeje të Kampionatit të Shqipërisë mbretëron heshtja shembullore? Dhe mbi të gjitha: si ka mundësi që Shqipëria paska një Federatë Kombëtare të Futbollit, që hesht më shumë se askush tjetër? Se për Ministri a Qeveri e dimë që krekosen vetëm kur luan Kombëtarja.
Dhe pyetjet e pyetjeve: cilët janë shkaqet që në këte tregues Shqipëria sportive të ketë rënë kaq poshtë? Po rendis këtu vetëm 8 shkaqe:
1. Cilësi e ulët e Kampionatit.
2. Skuadra të mbushura me lojtarë të rëndomtë të shteteve të tjera.
3. Skuadra të cilat nuk di a kanë vetëm nja 2 a 3 lojtarë të qytetit të tyre. Madje kemi skuadra që nuk kanë asnjë.
4. Kampionat i vogël me vetëm 10 skuadra, ndërkohë që nuk arrini të fuqizoni sado pak kampionatet e kategorive të dyta e të treta.
5. Vazhdimësi e pandalshme e pjesëmarrjes në Kampionatit parësor Kombëtar të skuadrave tradicionale të Shqipërisë qytetare: Korçë, Kavajë, Berat, Gjirokastër, Fier, Lushnje…
6. Zhvillimi i pesë ndeshjeve të copëzuara herë herë deri në tri ditë, çka shpërqëndron tejet dëshirën për t’i ndjekur.
7. Transmetime të shfrenuara televizive të ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera. Madje deri dhe ndeshje të Kategorisë së Dytë të këtyre shteteve.
8. Marramendje jashtë mase mbas Kombëtares, ndonëse kjo ka vetëm nja 2 a 3 lojtarë të futbollit të tokës së Shqipërisë.
E kjo do të thotë se nuk ka të bëjë aspak, deri në gjenezë madje, me futbollin kombëtar të mbrendshëm të Republikës së Shqipërisë. Dhe këtu e kam fjalën, që ndonëse ata janë shqiptarë, madje atdhetarë të mirë, nuk janë lindur, rritur e formuar nga futbolli i Shqipërisë. A vërtet mendoni se nuk lind më talente toka e Shqipërisë?…
E, kështu si ka ardhur puna, na duhet të bëjmë një rubrikë me këte titull: “Ruhuni nga propaganda për Kombëtaren”! Dhe për fat, këte propozim po e bën njeriu i cili ka shkruar deri në hollësi historinë e Kombëtares, e pakta në nja katër libra të posaçëm (“Historia e Kombëtares”, “Libri i Kombëtares”, “Kupa e Botës dhe Shqipëria”, “Shqipëria e Europiane e Gianni De Biasi-t”). Dhe nuk po shkoj më tej…
Duket si revoltë. Por është një revoltë atdhetarie. Kjo braktisje e spektatorëve të Kampionatit të Shqipërisë deri në këte shtêrrim, tregon se skuadrat e qyteteve të Shqipërisë nuk duhen më fort prej qytetarëve të tyre. Një pjesë e mirë e të cilëve janë shndërruar në tifozë “të sëmurë” të Juventusit, Interit, Milanit, Realit, Barcelonës, Manchesterit, Parisit… Deri aty sa që edhe në të ashtuquajturat analiza-analistash (kakofoni) shprehin krenari për këte farë tifozlleku “sui generis” shqiptar. Deri këtu kemi mbërritur. Nuk ngjet në asnjë vend të botës deri kësisoji.
E pra, çka do të thotë “skuadër e qytetit tënd”?
“Skuadër e qytetit tënd” do të thotë se kemi të bëjmë me një interpretuese të përjavshme të një shfaqjeje të një teatri gjigand që është një stadium me një skenë po gjigande prej gati 130 metra të gjatë e nja 70 të gjërë. “Skuadër e qytetit tënd” do të thotë se ajo përfaqëson ndjenjat e qytetarëve të saj, zbukuron të dielat e të shtunat, çlodh njerëzit e lodhur gjatë javës me punë e probleme deri të mbijetesës në një Shqipëri tejet problematike. “Skuadër e qytetit tënd” do të thotë që ti të shkosh në stadium e të shohësh, si në kohët e etërve të kohëve të shkuara, djalin tënd 17 a 18 vjeçar i cili mund të jetë një talent i madh i futbollit. “Skuadër e qytetit tënd”, do të thotë, se ajo është një identitet, një simbol i qytetit tënd, çka më ndryshe ajo nënkupton pjesën tjetër të shpirtit kulturor të qytetit.
Sigurisht mos kujtoni se shembulli i mësipërm i Shalke 04 të Kategorisë së Dytë të Gjermanisë së madhe ka dhe aq fort punë me Shqipërinë e vogël. Megjithate, ky shembull vlen fort edhe për Shqipërinë e vogël. Sepse 60.000 spektatorët për një ndeshje të zakonshme të Kategorisë së Dytë, qoftë edhe të një Gjermanie legjendare dhe vetëm 18.200 spektatorët për 15 ndeshje të Kampionatit të Shqipërisë së vogël, në thelb ky është turpi i futbollit të Shqipërisë. Nëse nuk ju duket kështu, ejani, nxitoni dhe shpalosni faktet kundërshtuese. Ndryshe ju jeni humbësit më të mëdhej të futbollit kombëtar qytetar të Shqipërisë. Meritoni ta ndjeni pikërisht dënimin kritik kombëtar.
PANORAMASPORT.AL













