Priten lëvizje në derbi, te Partizani ka balotazh Hoxha-Qirko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2025 | 8:26

Priten lëvizje në derbi, te Partizani ka balotazh Hoxha-Qirko

Dje pasdite Partizani mbylli gjithë përgatitjet për ndeshjen e sotme kundër Dinamos në orën 16:30 në stadiumin “Arena e Demave”.

partizani

Trajneri Veselinoviç këtë seancë e ka përqendruar të gjithën në aspektin taktik, pa dashur t’i ngarkojë fizikisht lojtarët, në mënyrë që t’i ketë sa më të freskët për betejën e sotme. Dje zhvilloi stërvitjen e parë edhe Eleke, teksa bashkë me Çipin iu desh të kalonin në “tunelin e shuplakave”.

Për këtë sfidë nuk do të jetë i gatshëm Kristi Kote, teksa ka dyshime për praninë e Pano Qirkos. Portieri është kthyer në stërvitje gjatë ditëve të fundit, por ende nuk është vendosur përfundimisht nëse është i gatshëm për të startuar nga minuta e parë. Pjesa tjetër e skuadrës janë në gjendje për të luajtur nga minuta e parë.

FORMACIONI – Trajneri Veselinoviç pritet të bëjë ndryshime para këtij derbi. Në rast se Qirko nuk ia del, në portë starton kapiteni Alban Hoxha. Në mbrojtje me shumë mundësi do të kthehet Bytyçi. Mbrojtësi nga Suhareka u fut si zëvendësues kundër Teutës, por dhuroi një paraqitje pozitive, duke dhënë edhe asistin e golit të dytë. Mesa duket kjo e ka bindur trajnerin që ta nisë si titullar.

Pjesa tjetër e difensivës janë të njëjtët emra. Në mesfushë Shanaj ka arritur sërish të fitojë një vend titullari kundrejt Mehmetit, që me shumë mundësi e nis nga stoli. Në sulm Podstrelov ka bindur për rikthimin në formacion, teksa pritet sërish Keko nga minuta e parë, duke ulur në stol Zekën. Ky shihet të jetë plani i Veselinoviç nëse nuk bën ndonjë ndryshim të minutës së fundit.SFFGPANORAMASPORT.AL