Presioni te Milinkoviç, Bylisi si kamerdare shpëtimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2025 | 8:53

Presioni te Milinkoviç, Bylisi si kamerdare shpëtimi

Mladen Milinkoviç mund të thuhet se po fillon ta ndjejë presionin te Partizani, që pretendon të rikthehet te trofetë. Milinkoviç mori drejtimin e “demave” në fillimin e gushtit dhe siç pritej, koha u kthye në armikun e tij kryesor.milinkovicNë përfundim të katër javëve në Superiore, Partizani regjistron katër pikë dhe mban vendin e shtatë. Të gjithë e dinë peshën e transfertës së radhës, që e gjen Partizanin në Ballsh. Sfida me Bylisin rëndon shumë, pikërisht pas dy humbjeve dhe një barazimi. Dhe të dielën(21 shtator), ndërsa Bylisi maste forcat me Dinamon në stadiumin “Selman Stërmasi”, çfarë ra në sy ishte prania e stafit të Partizanit bashkë me drejtorin Arbër Abilaliaj. Shënimet janë mbajtur dhe tashmë duhet gjetur zgjidhja, për të mos rrezikuar krizën.

PARAARDHËSIT- Në statistikat për të kuqtë, mund të përdoren për krahasime periudhat pas rikthimit në Superiore. Partizani ka regjistruar vetëm 4 pikë, pas pesë javësh, me Ilir Dajën Fillim i errët ishte po ashtu edhe edicioni 2017/18, kur me Mark Iulianon në krye regjistroheshin 5 pikë. Kështu në javën e pestë, Milinkoviç do kërkojë të mos jetë pjesë e një rekordi negativ. Ilir Daja dhe Iuliano nuk zgjasnin shumë në stol, pas ecurisë së dobët në fillim që është vendimtare për fatet e sezonit.

BYLISI- Skuadra e Mirel Josës u tregua dinjitoze ndaj Dinamos në Tiranë. Sfida u mbyll me barazim 0-0, ndërsa Bylisi luajti me një lojtar më pak që mga minuta e 67- të. Ishte Peralta që u largua me karton të kuq, por megjithatë shija e ndeshjes që miqtë lanë në Tiranë ishte pozitive. Në pjesën e parë ishin ekipi më i rrezikshëm, pasi Dinamo nuk rrezikoi asnjëherë me goditje në portë. Në të dytën ndërkohë nuk u konkretizuan disa raste të mira. Padyshim që nuk do të jetë aspak sfidë e lehtë, kur objektiv i vetëm janë 3 pikët.

MIQËSORJA- Partizani e ka një ide të Bylisit. Miqësorja debutuese e Milinkoviç ishte pikërisht ndaj ballshiotëve, ndërsa gjithçka mbyllej me barazim pa gola. Një sfidë që u luajt në “Arena e Demave” dhe të kuqtë nuk jepnin sinjale pozitive. Pas atij takimi, të dyja skuadrat kanë patur disa ndryshime. Bylis në renditjen e përgjithshme të Superiores ka 1 pikë më pak se “demat”.

RIVALITETI- Partizani vuajti përballë një ekipi në edicionin e kaluar. Bëhet fjalë për skuadrën e Bylisit, që u kthye në “mace të zezë”. Më konkretisht, nga katër ndeshje të zhvilluara Partizani fitoi vetëm atë në fazën e parë. Më tej pasuan tri humbje, ndërsa një prej tyre solli shkarkimin e Veselinoviç.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL