Presidenti Halili shkundi Tiranën para Laçit dhe Vllaznisë, zbulohen prapaskenat nga mbledhja me lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2025 | 22:28

Presidenti Halili shkundi Tiranën para Laçit dhe Vllaznisë, zbulohen prapaskenat nga mbledhja me lojtarët

Tirana mundi Laçin dhe pretendon që për herë të parë këtë sezon të fitojë ndaj Vllaznisë, por, para këtyre dy ndeshjeve të rëndësishme, ka hyrë në lojë presidenti Refik Halili.

halili

Me një mbledhje të gjatë para kurbinasve, “bosi” i bardhebluve ka shkundur grupin. Për gati 2 orë, Halili ka analizuar paraqitjen e ekipit të tij dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen. Jo vetëm kaq, por presidenti u ka bërë të qartë lojtarëve se dy ndeshjet, të cilat janë jetike për bardheblutë, mbeten Laçi dhe Vllaznia. Një gabim në këto dy takime do të ishte fatale dhe ai ka kërkuar përqendrim maksimal dhe një sforco të fundit për të shpëtuar Tiranën, jo vetëm nga fundi i tabelës së klasifikimit, por, nëse është e mundur, edhe ndonjë gjë më shumë, ndonëse vendi i katërt është shumë larg, 11 pikë.

REAGIMI – Bardheblutë, nga ana tjetër, kanë reaguar pozitivisht pas kësaj mbledhjeve. Ndaj Laçit, ekipi tregoi forcën e vërtetë në fushën e lojës, duke mundur 4-1 kurbinasit. Një rezultat, që skuadra ndaj kurbinasve, kishte vite që nuk e merrte. Jo vetëm kaq, por ekipi arriti edhe fitoren e pestë në kampionat dhe është gjashtë pikë nga vendi i pestë, i cili mbahet nga Elbasani, skuadër me të cilën, Tirana do të përballet para derbit me Partizanin.

KALENDARI – Edhe pse presidenti Refik Halili si fillim ka vënë si objektiv fitoret në dy ndeshjet, Laçin dhe Vllazninë, një prej të cilave u arrit, kalendari i bardhebluve është delikat. Para pushimit të ekipit kombëtar, kryeqytetasit do të luajnë me Egnatian kryesuese dhe prandaj duhet që Vllaznia të mos diskutohet. Pas pushimit të Kombëtares, skuadra pret Bylisin, udhëton në Elbasan, dy takime që mund të kalohen pa asnjë problem. Më pas, derbi, Skënderbeu, Teuta dhe e mbyll me Dinamon në transfertë.

FORMACIONI – Me këtë gjendje që ka tani Bledi Shkëmbi, Tirana do të luajë ndaj Vllaznisë pak a shumë me të njëjtin formacion siç luajti ndaj Laçit në pjesën e dytë. Në portë e nis Selmani. Më pas, treshja Mici, Dembele, dhe Kola. Në mesfushë, Vera, Rafael, Soler dhe Përgjoni. Sulmi do të jetë një treshe klasike me Ndrecën, Zharmuni dhe Ernest. Ekipi do të ketë disa rikthime, por do të mungojnë dy të dëmtuarit Ismajli dhe Meta.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL