Prapaskenat/ Si u largua Ernest nga Tirana, çfarë ndodhi në pjesën e dytë të sfidës me Elbasanin
Largimi i Emanuel Ernest nga Tirana është tashmë një fakt i kryer, por prapaskenat e kësaj historie tregojnë se gjithçka ka nisur nga një moment tensioni gjatë ndeshjes ndaj Elbasani.
Edhe pse fillimisht situata u mbajt larg vëmendjes së publikut, me kalimin e ditëve janë bërë më të qarta detajet që çuan në ndarjen mes lojtarit dhe klubit bardheblu. Sipas burimeve pranë klubit dhe ashtu siç konfirmoi në numrin e djeshëm të gazetës “Panorama Sport”, gjithçka ka nisur gjatë zhvillimit të ndeshjes, kur trajneri Orges Shehi kishte menduar ta aktivizonte sulmuesin në pjesën e dytë të takimit. Në një moment të caktuar të lojës, një nga ndihmësit e stafit teknik i ka kërkuar Ernestit të bëhej gati për t’u futur në fushë. Megjithatë, futbollisti nuk ka pranuar të zhvishet për të hyrë në lojë, duke treguar pakënaqësinë e tij për faktin që nuk e kishte nisur takimin si titullar.
Ky moment ka krijuar një situatë të sikletshme në stol, por për të mos e përshkallëzuar tensionin gjatë ndeshjes, gjithçka është lënë në heshtje. Stafi teknik ka zgjedhur të mos reagojë publikisht në atë moment dhe ndeshja është mbyllur pa u bërë e ditur çfarë kishte ndodhur realisht në pankinë. Pas përfundimit të sfidës, trajneri Shehi ka zhvilluar një bisedë me drejtorin sportiv të klubit, Omer Bunjaku. Në këtë takim, trajneri i ka komunikuar qartë drejtuesit qëndrimin e tij për lojtarin, duke theksuar se pas asaj që kishte ndodhur, Ernest nuk ishte më pjesë e planeve të tij për vazhdimësinë e sezonit. Shehi ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke deklaruar se për të lojtari ishte tashmë i larguar nga skuadra, pavarësisht vendimit që do të merrte më pas klubi. Më pas, drejtori Bunjaku ka zhvilluar një diskutim si me drejtuesit e klubit, ashtu edhe me vetë lojtarin.
Në këtë takim, Ernestit i është bërë e qartë pozita e stafit teknik dhe fakti se situata e krijuar kishte prishur raportin e besimit mes palëve. Klubi ka vlerësuar se vazhdimi i bashkëpunimit në këto kushte do të ishte i vështirë dhe mund të sillte probleme të tjera brenda skuadrës. Për këtë arsye, pas bisedimeve mes palëve është parë si zgjidhja më e mirë ndarja me marrëveshje. Kështu përfundoi edhe aventura e Ernestit me Tiranën, një eksperiencë që nisi me pritshmëri të mëdha, por që u mbyll shpejt dhe mes tensioneve të brendshme.
Sulmuesi nga Liberia largohet pas një periudhe të shkurtër me bardheblutë, ku regjistroi disa paraqitje, por pa arritur të lërë gjurmë të rëndësishme në aspektin e golave. Në fund, një episod i vetëm gjatë ndeshjes me Elbasanin rezultoi vendimtar për të mbyllur bashkëpunimin mes lojtarit dhe klubit kryeqytetas.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













