Prapaskenat dhe kontrata, Veselinoviç ikën në heshtje dhe pa u përshëndetur me ekipin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2025 | 23:14

Prapaskenat dhe kontrata, Veselinoviç ikën në heshtje dhe pa u përshëndetur me ekipin e Partizanit

Aventura e Aleksandar Veselinoviç në krye të Partizanit zgjati vetëm 26 ndeshje.veselinovicSerbi erdhi me një fitore të pastër 0-2 kundër Teutës më 31 gusht 2024 dhe u largua me një përmbysje të turpshme nga Bylisi në stadiumin “Arena e Demave” të premten e kaluar. Ai e lë Partizanin në pozita komode sa i përket renditjes, pasi të kuqtë renditen të katërtit, nëntë pikë nga Elbasani i vendit të pestë.

LARGIMI DHE KONTRATA – Ndarja e Veselinoviç me Partizanin ka ndodhur në mënyrë mjaft të shpejtë dhe të heshtur. Trajneri ka ndërprerë kontaktet me skuadrën që pas ndeshjes dhe deri më tani nuk është parë të kthehet për përshëndetjen e fundit, siç ndodh zakonisht. Mbetet të shihet nëse do ta bëjë këtë deri të mërkurën, kur edhe është planifikuar largimi i tij nga Shqipëria. Sakaq, rasti i tij është shkarkim nga detyra dhe Partizani do të duhet të zgjidhë kontratën me konsensus ose të paguajë gjithë pagat e mbetura. Mbetet të shihet në ditët në vijim sesi do ta zgjidhin.

PRAPASKENAT – U duk sikur erdhi në mënyrë të befasishme, por ç’është e vërteta Veselinoviç nuk i përmbushi në asnjë moment pritshmëritë e drejtuesve, as kur kishte në skuadër lojtarët kryesorë, të larguar në janar. Serbi nuk arriti në asnjë moment të sillej si trajner në një klub të madh, që ka cilësi dhe që kërkon të dominojë apo “të shtypë” çdo kundërshtar. Ai duket se kishte marrë me vete në Shqipëri edhe mentalitetin e inferioritetit, i fituar ndoshta nga eksperiencat e shumta me skuadrat që kanë luftuar me mbijetesë në të shkuarën e tij.

PANORAMASPORT.AL