PIKANTET E TIRANA-BYLIS/ Tifozi i bardhebluve bën sherr me drejtorin Bunjaku dhe arrestohet, rishfaqet Tefik Osmani
Tirana triumfon në përballjen e vuajtur ndaj Bylisit. Bardheblutë marrin tre pikë të arta në një duel direkt për mbijetesën, falë një goli të shënuar nga Serzh Tabeku, që hyri si zëvendësues dhe bëri diferencën në pak minuta.

Ndeshja u karakterizua nga një ritëm i ulët në pjesën e parë, pak raste shënimi, tensione në fushë dhe emocione në tribunë, duke reflektuar rëndësinë e madhe që kishte për të dy skuadrat kjo përballje. Në këtë sfidë u panë momente dramatike, përplasje në fund të ndeshjes dhe sakrifica e disa lojtarëve, duke e bërë fitoren e Tiranës edhe më të vlefshme për moralin e skuadrës dhe shpresat për mbijetesë.
-Para ndeshjes skuadrat mbajtën një minutë heshtje, ndërsa bardheblutë nderuan Astrit Burrelin punonjësin e klubit për ndarjen nga jeta një ditë para takimit. “Tirona Fanatics” në respekt nisën të festonin vetëm në minutën e 15-të
-1500 tifozë ishin të pranishëm për të ndjekur sfidën mes Tiranës dhe Bylisit. Në tribunë presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ndërsa Refik Halili e ndoqi takimin nga zyra e tij.
-Josa e ka me Përndrecën dhe Përgjonin. Dëgjohen këshilla të panumërta: “Arli jo topin prapa aty, çfarë të thashë qëparë…”
-Redon Xhixha ka probleme me kaviljen, por sakrifikon për të luajtur shumë minuta. Shiritin e kapitenit ia dorëzon Visar Bekajt
-Dëmtohen njëkohësisht Tabeku dhe Mehmeti, mjeku i Bylisit shkon te sulmuesi kosovar, ndërsa mjekët bardheblu te belgu.
-Në fund të lojës, Kamara i Bylisit detyrohet të marrë topin te tifozët, pasi nuk ka sferë në fushën e lojës.
-Tabeku lidh gjurin, ndërsa ende nuk dihet me saktësi shkalla e dëmtimit.
-Përplasje në fund të ndeshjes. Një tifoz i Tiranës kapet me drejtorin Omer Bunjaku. Shkëmbehen fjalë, ndërsa tifozi shoqërohet në komisariat.
-Për herë të dytë në stadium ishte i pranishëm ish-drejtori Tefik Osmani. Po kështu edhe drejtuesit e Dinamos si dhe një nga kritikët e klubit Rezart Dabulla.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













