Pikantet e sfidës në Ballsh/ Jorgji “tërbon” vendasit, ata i hakërrehen në tunel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2025 | 19:17

Pikantet e sfidës në Ballsh/ Jorgji “tërbon” vendasit, ata i hakërrehen në tunel

Ndeshja mes Bylisit dhe Teutës në “Adush Muçaj” ishte një duel i mbushur me emocione, tension dhe momente të diskutueshme që e bënë sfidën të ndjekur me interes jo vetëm nga tifozët, por edhe nga drejtuesit më të lartë të të dyja skuadrave.

bandicam 2025-12-07 15-24-33-108

Përtej rivalitetit në fushë, atmosfera në stadium ishte e ndezur që nga minuta e parë, me tifozët vendas dhe miq duke mbështetur ekipet e tyre me pasion dhe duke reaguar ndaj çdo aksioni të dyshimtë. Episodet që sollën polemika, vendimet e VAR-it dhe ndërhyrjet e gjyqtarit Jorgji, e kthyen këtë sfidë në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë.

-Drejtuesit më të lartë të të dyja skuadrave e kanë ndjekur ndeshjen në tribunën “VIP”, duke e ndjekur me interes të lartë një sfidë që pritej të ishte delikate dhe me ngarkesë emocionale.

-Tifozët durrsakë ishin të organizuar në Ballsh, madje të pajisur edhe me daulle dhe brohorima, duke e mbështetur skuadrën e tyre gjatë gjithë ndeshjes me një sjellje mjaft korrekte dhe “FairPlay”. Edhe tifozëria vendase nuk mungoi, duke mbështetur ekipin e Bylisit, por shpesh edhe duke shprehur pakënaqësi ndaj disa vendimeve të gjyqtarëve. Në total, në stadium ishin rreth 600 tifozë.

-Zhongo dhe Maçolli nga Teuta, dikur pjesë e Bylisit, u pritën me thirrje nga tifozët vendës, të cilët shpesh i ngacmonin gjatë lojës duke iu kujtuar periudhën kur kanë qenë pjesë e skuadrës së tyre.

-Një situatë acarimi shpërtheu në momentin kur Bylisi shënoi në minutën e 55-të. Stafi vendas, por edhe tifozët, protestuan me forcë, pasi vetë gjyqtari Jorgji dukej i pasigurt në sinjalizimet që bënte pranë vijës anësore. Fillimisht dyshohej për faull në sulm, më pas për pozicion jashtë loje, ndërsa vendimi final për anulimin e golit u prit me shumë polemika.

Në fund të sfidës, pavarësisht tensioneve, pati shtrëngime duarsh mes dy ekipeve. Megjithatë, në korridorin drejt dhomave të zhveshjes, u dëgjuan shumë akuza të drejtuara ndaj gjyqtarit Jorgji, kryesisht për anulimin e golit të Bylisit, që sipas vendasve ishte i rregullt dhe u mohua padrejtësisht.

PANORAMASPORT.AL