Pikantet e Partizani-Dinamo/ Gjyqtari “djeg” letrën e Kërnajës, të kuqtë ndryshojnë pankinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2025 | 19:44

Pikantet e Partizani-Dinamo/ Gjyqtari “djeg” letrën e Kërnajës, të kuqtë ndryshojnë pankinën

Dinamo mori 3 pikët në derbi ndaj Partizanit duke fituar me rezultatin 3-1 në një ndeshje që i kishte të gjitha. Veç golave e rasteve, në shkallët e stadiumit por edhe në fushë, kishte momente të veçanta të cilat meritojnë një vëmendje më të madhe.

Screenshot 2025-12-23 191300

– Ndryshe nga ndeshjet e tjera kur Partizani është organizatore, këtë herë kishte një ndryshim me pankinat. Të kuqtë, ishin detyruar të qëndronin në anë të majtë, teksa jemi mësuar ta shohim Partizanin nga e djathta, në anën ku qëndron asistenti i parë. Si duket, Dinamo nuk është pajtuar me këtë dhe delegati ka ndryshuar pankinat.

– Në stadiumin “Arena e Demave” ka një numër të pakët tifozësh. Megjithatë, si tifozët e Partizanit, ashtu edhe ato pak të Dinamos, mbështetën skuadrën e tyre deri në fund. – Sfida nisi me temperatura të ulëta por kohë të kthjellët ndërsa në fundin e pjesës së parë, nisën reshjet e shiut që bënë edhe topin të lëvizte më shpejt në fushë.

– Pavarësisht temperaturave të ulëta, Kërnaja qëndron gjithë kohën me uniformën e klubit dhe në asnjë moment, nuk preferon të veshë xhup.

– Rusta është në ndeshjen e Dinamos për herë të dytë radhazi. Gjyqtarja që ishte kryesore ndaj Vorës, dje ishte në VAR.

– Kërnaja i jep një letër me këshilla skuadrës së tij dhe ndoshta lëvizje taktike. Por, gjyqtari Lata e sheh diçka të tillë dhe ndal lojën duke detyruar lojtarët që ta hedhin, ku në fakt bëhej fjalë për një letër goxha të madhe.

– Një zyrtar i Partizanit ndëshkohet me të kuq pas golit të Tomës, pasi po kërkonte me ngulm konfirmimin, siç bënë edhe të tjerët.

– Dinamo ka përmbysur rezultatin për herë të dytë radhazi. “Nëndetësja” ashtu si edhe me Vorën, e pa veten në disavantazh por më pas arriti të reagonte për të fituar 3 pikë të rëndësishme.

– Stafi i Partizanit duket i pakënaqur me vendimet e kryesorit dhe asistentëve që shpesh herë acarojnë vendësit me vendimet e tyre.

– Skuka nuk feston shumë në golin e dytë për skuadrën e tij që në fakt u anulua. Si duket, sulmuesi e kuptoi se mund të ketë qenë në pozicion të parregullt, gjë e cila u konfirmua nga sistemi VAR.

PANORAMASPORT.AL