Pikantet e “finales” së Kategorisë së Parë/ Droni bezdisi gjyqtarin e FIFA-s, tifozët iu bënë makth Zguros
Ndeshja mes Laçit dhe Pogradecit ishte një finale e mirëfilltë për ngjitjen në Superiore dhe është përjetuar si e tillë edhe nga momentet pikante të takimit.

-Rreth 2500 tifozë mbushën stadiumin e Laçi, mes tyre edhe afro 120 mbështetës të Pogradeci. Një ambient i ndezur që ndikoi drejtpërdrejt në ritmin dhe tensionin e sfidës.
-Kapiteni i pogradecarëve, Vangjel Zguro, ishte në epiqendër të presionit nga tifozëria vendase gjatë gjithë ndeshjes. Ofendimet dhe atmosfera armiqësore duket se ndikuan psikologjikisht te lojtari, i cili humbi edhe penalltinë vendimtare, duke mos gjetur qetësinë e duhur në ekzekutim.
-Një episod i pazakontë ndodhi në fillim të pjesës së dytë, kur një dron që filmonte ndeshjen u ul shumë pranë fushës, duke shqetësuar gjyqtarin Florian Lata. Loja u ndërpre për disa çaste deri në largimin e tij.
-Në minutën e 86-të, Fatlind Azizi u detyrua të ndërrojë këpucët pasi i’u thyen takat gjatë lojës, një moment i rrallë që shkaktoi një tjetër ndërprerje të shkurtër.
-Ndeshja u mbyll me tension maksimal, ku protagonistë u bënë trajnerët Naxhi Shensoj dhe Emiljano Çela. Pas një debati verbal në fushë, situata degjeneroi kur Shensoj iu vërsul Çelës, duke detyruar ndërhyrjen e stafeve dhe më pas të forcave të sigurisë. Trajneri i Laçit u largua nga fusha nën shoqërimin e policisë, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, ndërsa në sfond lojtarët festonin me tifozët një fitore të rëndësishme.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













