Pikantet e Egnatia-Flamurtari/ Vlonjatët përkrahin Tetovën, shkruhet historia në Superiore
– Egnatia – Flamurtari ishte një ndeshje historike për Superioren, sepse për herë të parë ndeshjen e gjykoi një treshe vajzash. Pat ndodhur më herët që të ishte vetëm kryesorja apo vetëm anësoret, por asnjëherë të tria bashkë.

– Tifozët e Flamurtarit tregojnë “fair – play” në Rrogozhinë. Janë ata që “kujtohen” për Edlir Tetovën, duke thirrur emrin e tij në kor dhe më pas marrin duartrokitjet edhe të vendasve. Një gjest vërtet për t’u duartrokitur.
– Maksuti ndërron fanellën në minutën e 17-të, pasi mesa duket ajo që mbante veshur ka pasur probleme.
– Emanuela Rusta i djeg skemën nga goditja e dënimit Egnatias, ku pranë topit ishte dyshja Aleksi-Haime. Ata e nisën goditjen pa vërshëllyer gjyqtarja, duke e bërë të pavlefshëm befasinë që kishin menduar.
– Todoroski bie keq pas një dueli ajror dhe kërkohet zëvendësim pasi ka dëmtim të rëndë në këmbë. Lojtari largohet i përlotur me barrelë. Ai merr edhe duartrokitjet e tifozëve vlonjatë.
– Vlonjatët pretendojnë për një karton të kuq ndaj Sotës për ndërhyrjen ndaj Maksutit, të cilën Rusta e vlerësoi për të verdhë. Ata i kërkojnë gjyqtarit të katërt të shihet nga VAR.
– Xhemajli prish rrjetën e portës së Flamurtarit, duke detyruar punëtorët e fushës ta riparojnë në minutën e 83-të.
PANORAMASPORT.AL













