Pikantet e Dinamo-Vora/ Ndeshje si në “COVID”, një festë në stadium tërheq vëmendjen
Dinamo dhe Vora zhvilluan pasditen e djeshme sfidën e javës së 18 të Superiores, aty ku veç 3 golave të shënuar, kishte edhe shumë momente interesante. Gola të anuluar, tifozë të paktë apo edhe festa në ambientet e stadiumit, ishin padyshim disa nga momentet më interesante nga sfida e zhvilluar në “Air Albania”.
– Ashtu siç edhe pritej, në stadiumin “Air Albania” kishte pak tifozë, ku në tribunën përballë dhe pas porte, mund të numëroheshin lehtësisht se sa të pranishëm ishin si në kohën e COVID, kur ndeshjet zhvilloheshin pa tifozë.
– Mungesa e tifozëve në tribuna, bënte shpesh herë që të dëgjoheshin lojtarët duke folur me njëri-tjetrin apo edhe arbitrat.
– Në një nga lokalet e stadiumit, ishte një festë e fundvitit dhe muzika e lartë në lokal, shpesh herë tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve në tribunën qendrore dhe atë VIP.
– Në tribunat e “Air Albania” kishte disa figura sportive dhe lojtarë të të dyja skuadrave që nuk po luanin. Qefalija e Aliji nga Dinamo si edhe Hasaj e Kasalla nga Vora po ndiqnin ndeshjen në stadium.
– Sfida gjykohej nga kryesorja Emanuela Rusta dhe ndihmohej nga asistentja Edjena Kapxhiu ndërkohë që dy arbitrat tjerë ishin meshkuj.
– Megjithëse jemi pranë fundit të dhjetorit, temperaturat për të luajtur ishin ideale për një ndeshje futbolli.
– Qardaku shënoi golin e tretë me skuadrën e Dinamos dhe në shenjë respketi, vendosi të mos festonte për shkak se ka luajtur me Vorën para Dinamos. Megjithatë, sistemi VAR e anuloi golin e tij.
– Pavarësisht se përballë kishte pak tifozë të Dinamos, shpesh herë mundoheshin të bënëin atmosferë me tupan dhe me brohoritje.
– Sfida ishte relativisht e qetë në fushë pa tension mes lojtarëve apo edhe stafeve, të cilët në fund i dhanë dorën njëri-tjetrit.
– Sistemi VAR hyri 3 herë në punë, ku fillimisht anuloi golin e Vorës e më pas i dha një penallti Vorës. Në të dytën, anuloi gol për Dinamon.
PANORAMASPORT.AL













