Pikantet/ Batuta e tifozëve për Elbasanin: Rri në Shkodër!
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, pati disa momente pikante, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj:
-Numërohen rreth 1500 të pranishëm në shkallët e “Loro Boriçit”.
-Dy trajnerët Brdariç dhe Gvozdenoviç kanë një takim shumë të përzemërt para startit të takimit, teksa dëgjohen të flasin në gjuhën serbo-kroate.
-Nga tribuna e ndjekin ndeshjen dy futbollistët e pezulluar të Vllaznisë, Jago dhe Bajrami. Me ta është edhe Repaj, i cili mësohet se ka pasur një shqetësim fizik në stërvitjen e fundit.
-Dy tifo-grupet, “Vllaznit” dhe “Tigrat”, për herë të parë këtë sezon nuk e kanë ndjekur ndeshjen së bashku. Ata qëndruan në tribuna të ndara. Megjithatë, ka duartrokitje nga tifozët shkodranë për ultrasit e Elbasanit, të cilët po përshëndesnin mbështetësit kuqeblu me një këngë në kor.
-Në rastin e golit të Deliut, në fushë hidhen pëllumbat e bardhë me shiritat kuqeblu.
-Tifozët lëshojnë batuta për Elbasanin: “Të qëndrojnë në Shkodër, se do të vijnë prapë të mërkurën”. Ata i referohen ndeshjes së kthimit që verdheblutë do të luajnë ndaj Vllaznisë për çerekfinalet e Kupës.
-Bekim Balaj humb penalltinë e parë prej dy vitesh te Vllaznia. Abalora bëhet portieri i parë që ndalon kapitenin shkodran.
-Gvozdenoviç “nxehet” me Abalorën, i cili humb një top që mund të kthehej në gol. Trajneri serb “ankohet” te stoli i tij.
-Brdariç e ka një moment me Çobën, duke këshilluar shkodranin të qëndrojë afër kundërshtarit dhe të mos lërë hapësira.
-Tifozët kërkojnë më shumë ritëm nga skuadra. Mbështetësit shkodranë nuk janë të kënaqur me lojën e Vllaznisë.
-Tsague e merr shumë qetë daljen nga fusha në momentin kur do të zëvendësohej nga Lajthia. Fakt që acaron edhe tifozët kuqeblu.
PANORAMASPORT.AL













