PESHËNGRITJE MOSHAT/ Europiani i shtangës, Ertjan Kofsha “lahet” në bronz
Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për juniorë dhe U-23, aktivitet që po zhvillohet në Durrës që prej datës 28 tetor.
I fundit që u ngjit në pedanën e montuar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” ishte Ertjan Kofsha, i cili garoi mesditën e së dielës në peshat 94 kg për juniorë. Ndonëse nuk arriti që të shpallej kampion, që ishte edhe objektivi i deklaruar, Kofsha la gjurmë në këtë eveniment të rëndësishëm, duke fituar dy medalje bronzi dhe duke vendosur rekorde momentale europiane për moshën e tij në kategorinë e re të peshave. Një garë shumë e fortë dhe me emocione, në të cilën shtangisti shtërmenas e tha fjalën e tij, duke u ngjitur dy herë në podium.
GARA – Ertjan Kofsha e nisi me 158 kg, duke e realizuar me sukses provën e parë në stilin e shkëputjes. Më tej ai provoi me 162 kg, ku shkëlqeu sërish, për ta ekzekutuar në mënyrë fantastike. Kofsha tentoi në të tretën me 167 kg, po dështoi. Kështu, me 162 kg, shtangisti kuqezi mori medaljen e parë të bronztë. Më tej ishte radha e shtytjes, me Kofshën që ia doli më së miri në dy provat e para, fillimisht me 191 kg dhe më pas me 194 kg. Provoi për gjithçka në provën e tretë me 197 por nuk ia doli. Kështu me 194 kg, ai e përfundoi shtytjen në vendin e katërt. Ndërkohë, me 356 në total, Ertjani fitoi medalje bronzi edhe në dygarësh. Kampion i trefishtë në kategorinë e peshave 94 kg u shpall gjeorgjiani Goga Jajvani, i cili regjistroi 166 kg në shkëputje, 197 kg në shtytje dhe 363 kg në dygarësh.
FLET TALENTI – Duke u kthyer te talenti kuqezi, Ertjan Kofsha u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjen e tij në Europian. “Ishte një garë emocionuese. Ishte gara e dytë pas Botërorit, ku edhe aty theva rekordin europian. Sot ishte një ditë edhe më e madhe, pasi theva katër rekorde europiane, duke shënuar një prej arritjeve të mia më të mëdha”, deklaroi ndër të tjera Kofsha pasi përfundoi konkurrimin.
BILANCI – Me Kofshën mbyllet edhe përfaqësimi i Shqipërisë në Europianin e të rinjve, ku protagonistja absolute e Kombëtares tonë ishte pa diskutim Enkileda Carja. Sportistja e Teutës, e cila stërvitet nga trajnerja Eglantina Çuni, fitoi tripletë medaljesh ari në peshat 63 kg për juniorë. Kështu Shqipëria arriti që të fitonte 5 medalje gjithsej në Euripian, tri të arta me Carjen dhe dy të bronzta me Kofshën. Për sa u përket sportistëve të tjerë, ata nuk ia dolën që të linin gjurmë, duke mbetur jashtë zonës së podiumit.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL













