PESHËNGRITJE/ Kofsha në Botëror, trajneri Toska analizon garën e talentit: Duhej të bënim më mirë
Ertjan Kofsha mbylli konkurrimin e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, aktivitet që po mbahet në Norvegji që prej datës 2 tetor.
Ndonëse vetëm 20-vjeçar, Kofsha mati forcat me të rritur, duke e konsideruar këtë garë si një test të rëndësishëm, ndërsa garoi në kategorinë e peshave 94 kg, aty ku regjistroi 161 kg në stilin e shkëputjes, rezultat që duke parë futjen në fuqi të peshave të reja nga IËF, përkthehet në rekord europian për të rinj. Kofsha i dështoi të tria provat në shtytje, edhe pse në tentativën e tretë me 193 kg, iu afrua ndjeshëm, duke e ngritur peshën, por nuk arriti të fiksohej në momentin final dhe ta finalizonte me sukses provën.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska, ka analizuar garën e sportistit të tij. Toska shprehet se talenti shtërmenas kishte mundësi që të bënte më mirë, megjithatë ai thekson se synimi kryesor mbetet Kampionati Europian për të rinj, aktivitet që do të mbahet në Durrës.
“Kofsha bëri një garë të mirë, por duhet të bënte edhe më mirë. Që do të thotë se theu një rekord europian dhe kjo është arritje e madhe, por duhet të kishte thyer dhe të tjerë rekorde. Prisja shumë në stilin e shtytjes, ku për pak ishte pranë arritjes së provës 193 kg. Nuk u ambientuam me kohën dhe kjo ndikoi shumë tek sportisti, që është një djalë i ri me të ardhme dhe ka gara të tjera përpara. Nuk duhet të mërzitemi dhe të demoralizohemi, pasi ky ishte një test i mirë për ne, për të parë dhe gjendjen në të cilën ndodhet Kofsha”, shprehet fillimisht trajneri Toska.
Më pas ai ndalet të Europiani i të rinjve, event që do të zhvillohet më datat 28 tetor – 4 nëntor në Shqipëri: “Gara jonë kryesore është në Durrës, në Kampionatin Europian për të rinj. Atje do tregojmë se kush jemi dhe forcën tonë të madhe, duke synuar medalje ari. Do përgatitemi shumë për këtë kompeticion të rëndësishëm dhe do t’ia arrijmë qëllimit që i kemi vënë vetes. Mezi po presim këtë garë që vlen shumë për ne dhe atje do ti bëjmë të gjithë krenarë. Por nuk është pak për ne thyerja e rekordit europian, pasi mbetet një arritje e madhe”, përfundon trajneri i Shtërmenit dhe i Kombëtares.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL













