PESHËNGRITJE/ Enkileda Carja dhe Qerimaj, festë në Kupën e Shqipërisë. Calja dhe Ramadani deklarohen të dëmtuar para garës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2025 | 11:30

PESHËNGRITJE/ Enkileda Carja dhe Qerimaj, festë në Kupën e Shqipërisë. Calja dhe Ramadani deklarohen të dëmtuar para garës

Peshëngritja është kthyer të tundë pedanën me aktivitetet kombëtare, teksa të shtunën është zhvilluar Kupa e Shqipërisë për të rritur, një kompeticon i rëndësishëm në prag të Kampionatit Botëror që do të mbahet në tetor në Forde të Norvegjisë. FSHP e kishte vlerësuar maksimalisht eventin, duke e nxjerrë më në fund nga palestrat, të cilat ishin kthyer në modë gjatë viteve të fundit, me Kupën që këtë herë u zhvillua në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në Tiranë.

Screenshot 2025-09-08 112922

Në Kupë u futën në fuqi edhe kategoritë e reja të peshave, sipas rregullave të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF). Megjithatë ra në sy numri shumë i ulët i sportistëve pjesëmarrës në garë, vetëm 40 gjithsej, me 15 femra dhe 25 meshkuj. Duke kaluar te garat, në radhët e femrave peshat 48 kg dhe 69 kg, kishin vetëm nga një shtangiste në garë, ndërsa kategoria 53 kg nuk u zhvillua fare.

Edhe një herë tjetër spikati Enkileda Carja, e cila konsiderohet e ardhmja e madhe e shtagës shqiptare për vajza. Carja vinte pas rezultateve të jashtëzakonshme në Europianin e moshave, me medalje të arta dhe rekorde kontinentale, ndërkohë që nuk zhgënjeu as në Kupë. Shtangistja e Teutës triumfoi në kategorinë e peshave 63 kg, duke regjistruar 90 kg në shkëputje dhe 110 kg në shtytje, me 200 kg në dygarësh, për të merituar e parë dhe vlerësimin si sportistja më e mirë e aktivitetit.

Në radhët e meshkujve me shumë interes pritej kategoria e peshave 79 kg, po para garës Briken Calja dhe Kristi Ramadani u deklaruan të dëmtuar, duke mos marr kështu pjesë për shkak të problemeve fizike. Kështu gjithçka rezultoi e thjeshtë për Erkand Qerimajn. Djaloshi i ri i talentuar i Vllaznisë, Antonino Mullisi provoi të rivalizonte me Qerimajn, por ai mbetet ende “i njomë”, për një “ujk të vjetër” të shtangës shqiptare, siç është Qerimaj.

Kështu peshëngritësi i Tiranës ngriti 145 kg në shkëputje dhe 180 kg në shtytje, duke e mbyllur dygarëshin me 325 kg, për tu shpallur fitues në peshat 79 kg dhe sportisti më i mirë i aktivitetit. Në radhët e djemve spikatën gjithashtu edhe talente si Ertjan Kofsha si dhe Samuel Bishanaku. Ndërkohë në rang ekipor Tirana u shpall fituese e Kupës si për vajza, gjithashtu edhe për djem. Në tabelë pasqyrohen fituesit sipas peshave në Kupën e Shqipërisë 2025.

Screenshot 2025-09-08 112729

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL