PESHËNGRITJE/ Botërori në Norvegji, Calja dhe Qerimaj larg ditëve të lavdishme
Prej datës 2 tetor në Forde të Norvegjisë vijojnë garat e Kampionatit Botëror të peshëngritjes, kompeticion në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar me 3 sportistë.

Kombëtarja shqiptare zbriti dje në konkurrim me Briken Caljen dhe Erkand Qermajn, dy kampionë të mëdhenj që për shumë vite me radhë kanë mbajtur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare, por që tashmë gradualisht po i drejtohen fundit të karrierës.
Calja dhe Qerimaj konkurruan në kategorinë e peshave 79 kg, por pa mundur që të linin shumë gjurmë në një kompeticion që në të shkuarën i ka parë protagonistë. I pari që e nisi garën ishte Calja, i cili startoi nga Bateria C. Mes problemeve me një dëmtim në kofshë si dhe me një fatkeqësi familjare, vetëm pak ditë më parë, 35-vjeçar shtërmenas nuk vinte sigurisht në kushtet optimale.
Gjithsesi, Calja e nis mirë, duke kaluar me sukses provën e parë me 147 kg në shkëputje, për të dështuar më pas dy herë me 151 kg. Një rezultat që e renditi në vendin 13-të në renditjen e përgjithshme të baterive. Më tej, në shtytje, Calja kaloi dy provat e para, fillimisht me 175 dhe më pas me 181 kg, për të dështuar në të tretën me 183 kg. Kështu, me 181 kg ai u klasifikua në vendin e 14-të në botëror. Ndërkohë me 328 kg në dygarësh, ai e përfundoi kompeticonin në vendin e 14-të.
Pas garës, Calja reagoi menjëherë me anë të një postimi në rrjetet sociale: “Pas 55 ditësh dëmtim, sot ja dola të ngjitem sërish në pedanë. Ishte një sfidë që nuk do ta harroj kurrë, mes dhimbjes, mungesës së nënës sime dhe rikuperimit të vështirë. Megjithatë, ja dola të jem pjesë e Kampionatit Botëror me një rezultat të mirë, 147 kg shkëputje dhe 181 kg në shtytje. Forma nuk ishte më e mira, por zemra ime ishte aty si gjithmonë, për të përfaqësuar veten, familjen dhe flamurin. Ky kampionat ishte ndër më të vështirët e karrierës sime, por edhe një detyrim moral ndaj gjithçkaje që më ka bërë ky sport. Faleminderit të gjithëve që besojnë ende tek unë rruga vazhdon”.
Më pas radhën për të garuar e kishte Erkand Qerimaj, i cili në moshë 37-vjeçare provon të jetë konkurrues në nivelet të larta. Qerimaj ishte pjesë e Baterisë B, nga një bateri nga ku shpeshherë i ka bërë me “dhimbje koke” rivalët. Në stilin e shkëputjes Qerimaj dështoi provën e parë me 149 kg, gjithashtu edhe të dytën me 150 kg, peshë të cilën e realizoi me sukses në provën e tretë, duke u renditur kështu në vendin e 11-të në botë.
Në stilin e shtytjes ai nuk ia doli të kalonte asnjë provë, teksa dështoi përkatësisht me 180 kg dhe dy herë me 182 kg, duke mos u klasifikuar dot në dygarësh. Garat e Shqipërisë në Kampionatin Botëror do t’i mbyllë Ertjan Kofsha, i cili do të konkurrojë më datë 8 tetor, në Baterinë C të peshave 94 kg.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













