Peshëngritja zhvillon asamblenë vjetore, Gjoza “tund” 60 medalje
Federata Shqiptare e Peshëngritjes zhvilloi Asamblenë e saj Vjetore në Durrës, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe përfaqësuesve të saj.
FSHP bën të ditur se gjatë mbledhjes u shqyrtuan dhe u miratuan çështje kyçe që lidhen me funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Federatës, ndër të cilat:
– Veprimtaria e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes gjatë vitit 2025, përfshirë aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
-Raporti mbi shpenzimin e buxhetit për vitin 2025 dhe miratimi i planit financiar për vitin 2026.
– Si dhe miratimi i anëtarësimit të katër shoqatave të reja sportive, Laçi, Teuta, Iliria dhe Devolli.
– Gjithashtu u shpalos edhe programi i veprimtarisë dhe aktivitetet ndërkombëtare të Federatës për vitin 2026. Sipas FSHP-së, viti 2025 konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe më të suksesshmit në historinë e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Federata bën të ditur se Shqipëria u përfaqësua denjësisht në arenën ndërkombëtare, duke u shpërblyer me plot 60 medalje, një arritje e paprecedent për këtë sport. 39 medalje ari, 9 medalje argjendi dhe 12 medalje bronzi është bilanci që ka publikuar FSHP për vitin.
Ndër të tjera në fjalimin e tij, kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, theksoi se këto rezultate janë fryt i punës së palodhur, përkushtimit dhe profesionalizmit të sportistëve, trajnerëve dhe të gjithë strukturave drejtuese të Federatës. Në përfundim të Asamblesë, u riafirmua angazhimi për forcimin dhe zhvillimin e peshëngritjes shqiptare, duke vijuar me besim drejt objektivave të reja dhe sukseseve edhe më të mëdha në vitet që vijnë. Federata Shqiptare e Peshëngritjes falenderoi të gjithë anëtarët për kontributin e tyre dhe u garantoi mbështetje për realizimin objektivave për vitin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL













