Përgatitjet për ndeshjen me Dinamon, entuziazëm te durrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2025 | 18:42

Përgatitjet për ndeshjen me Dinamon, entuziazëm te durrsakët

Teuta vijoi me entuziazëm stërvitjen e radhës në prag të ndeshjes të kësaj të diele me Dinamon. Trajneri Bledar Hodo i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, madje dhe Artan Jazxhi, që mungoi në Shkodër për arsye dëmtimi.

teuta

Ekipit i është bashkuar edhe Tafas. I vetmi futbollist që u përgatit i veçuar ishte Torraj, pasi po vijon fazën e riaftësimit. Për trajnerin Hodo është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje, që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, tekniku i bluve fillimisht zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin. Hodo e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve.

Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës së të premtes. Teuta e ka fokusuar totalisht vëmendjen te ndeshja ndaj Dinamos, që do të luhet në “Elbasan Arena”. Trajneri i Teutës do të ketë grupin e plotë për sfidën kundër “nëndetëses”. Pasdite, Blutë kanë kryer seancën e radhës stërvitore në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, duke i vijuar përgatitjet anti-Dinamo.

Për më shumë se 80 minuta, futbollistët janë ndalur në aspektin e përgatitjes tekniko-taktike, më pas në veprimet mbrojtëse me ushtrime të veçanta, dhe më tej në situacione të ndryshme në lojë me grupe të përcaktuara nga trajneri, por që ndërroheshin herë pas here.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL