Partizani si “mace e zezë” për Flamurtarin, ish-ët motivojnë kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 18:28

Partizani si “mace e zezë” për Flamurtarin, ish-ët motivojnë kuqezinjtë

Sfida Flamurtari-Partizani, që luhet këtë të diel është mjaft interesante. Të dyja skuadrat mbyllin renditjen e Superiores, ndërsa në javën e shtatë do të kërkojnë të dalin nga kriza. Barazimi nuk i bën punë as Flamurtarit, as Partizanit. Do të jetë sfida me numër 147 mes dy skuadrave ku vërehet një dominim i të kuqve.

TRASHI

STATISTIKAT- Flamurtari ka fituar vetëm 25 përballje në total ndaj Partizanit. Të kuqtë ndërkohë e kanë provuar 80 herë shijen e fitores, ndërsa 41 takime janë mbyllur me barazim. Një ndeshje e tillë ku të dyja fanellat peshojnë shumë në futbollin shqiptar, mungon prej vitit 2020. Asokohe Flamurtari rrëzohej nga kategoria Superiore, ndërsa asnjëherë nuk u vendos më pas përballë Partizanit në ndeshje zyrtare siç janë ato të Kupës.

Fitorja e fundit e Flamurtarit ishte me rezultat minimal dhe daton 7 vite më parë, pikërisht në nëntorin e vitit 2018. Ai triumf është edhe i vetmi në 10 përballjet e fundit mes dy skuadrave. Partizani ishte “mace e zezë”, pasi ndërkohë fitonte tetë sfidat e tjera. Lorenc Trashi është lojtari që me fanellën e Partizanit i shënonte 5 herë Flamurtarit, duke e pasur kundërshtar të preferuar. Tashmë vendoset përballë ish-klubit të tij.

Bruno Telushi po ashtu e njeh mjaft mirë si sfidë, pasi si lojtar i Partizanit dhe Flamurtarit e gjente tre herë rrugën e rrjetës në këtë sfidë. Ish-ët mund të jenë pikërisht ata që motivojnë më shumë Flamurtarin për këtë takim.

“ISH”- Sfida mes dy skuadrave sjell disa “ish”. Te Flamurtari mund të përmenden Lorenc Trashi, Idriz Batha, Bruno Telushi, Valentino Murataj, Herald Marku dhe Stivian Janku. Nga Partizani ndërkohë kanë luajtur te Flamurtai, portieri Pano Qirko dhe mbrojtësi Mateo Çipi. Mateo Shanaj dhe Paulo Buxhelaj janë po ashtu nga Vlora, por nuk kanë luajtur asnjëherë me kuqezinjtë.

PANORAMASPORT.AL