Partizani pa trofe, klubi bën bilancin para revolucionit. Haxhia merr “frerët” e merkatos
Partizani ka edhe një ndeshje për të luajtur, por sezoni i kuq mund të quhet që tani i mbyllur. Fryti i vetëm në aspektin sportiv për të kuqtë është kualifikimi në Europë, teksa skuadra nuk arriti të marrë asnjë nga trofetë në këtë edicion, duke u eliminuar në të dyja kompeticionet nga Egnatia në gjysmëfinale.
REKLEKTIM – Në klubin e kuq, nga dita e djeshme, ka ardhur koha për një analizë dhe reflektim të një sezoni të gjatë, që me kalimin e kohës pa që të kishte rokada në stol dhe drejtorë të rinj, që marrin frerët e klubit. Në ditët në vijim në klub pritet të zhvillohet një mbledhje mes drejtuesve, me presidentin Demi, që siç e ka zakon në punën e tij, do të ballafaqojë protagonistët me objektivat e vendosura në fillim të sezonit dhe atë që është arritur.
NDRYSHIMET – Natyrshëm, bilanci tek të kuqtë nuk pritet të dalë si duhet, pasi çdo sezon pa trofe për Partizanin mund të konsiderohet i dështuar. Përveç kësaj, do të ketë edhe një analizë mbi përbërjen e skuadrës, që kërkon ndryshime të menjëhershme para pjesëmarrjes në Ligën e Europës.
GEGA-HAXHIA – Kjo dyshe iu bashkua Partizanit rreth pesë javë para mbylljes së sezonit dhe e mori në një situatë të vështirë, kur humbjet po vinin në seri dhe skuadra po diskutonte gjithçka. Me mbylljen e këtij sezoni me kualifikimin në Europë, pritet të nisë projekti i ri i tyre. Pjesë e klubit është edhe drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, por ajo që “nuhatet” në korridoret e kuqe është se Haxhia do të jetë udhëheqësi i ndryshimeve që duhet të ndodhin me të patjetër në klubin e kuq. Gjithçka pritet të nisë nga largimet.
NDRYSHIMET – Në skuadër janë një numër lojtarësh në fund kontrate dhe një pjesë tjetër që pritet t’u kërkohet nga klubi të zgjidhin kontratën me marrëveshje. Lista është e gjatë dhe në ditët në vijim me shumë mundësi do të dalin emrat e parë. Fillimisht, ekipi i kuq do të luajë sfidën për vendin e tretë me Dinamon, që është sa për statistikë, pasi çdo gjë është vendosur tashmë. Pas kësaj, pritet që në klubin e kuq të nisë zhvillimi i një serie ngjarjesh. Ndryshimet i paralajmëroi edhe vetë trajneri Gega pas ndeshjes me Egnatian. “Patjetër që po. Do të shikojmë nëse jemi në marshin e duhur, ku duhet të riparohemi nëpër reparte. Nuk ka asgjë këtu. Njerëzit kanë kontrata dhe marrëveshje, por në fund do të bëhet ajo që është më e mirë për klubin”, u shpreh trajneri.
AFRIMET – Klubi dhe drejtuesit kanë nisur që tani lëvizjet për lojtarët që do të vijnë, me synimin për ta kthyer Partizanin pretendent të Kategorisë Superiore. Nisur edhe nga njohjet që Haxhia ka në Itali, tregu përtej Adriatikut pritet që të ketë edhe vëmendjen më të madhe. Vëmendja do të jetë në sjelljen e lojtarëve cilësorë të një moshe relativisht të re, që mund të shiten në të ardhmen. Mbetet të shihet sesa do të materializohet ky projekt.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













