Partizani, nuk ka “tym të bardhë” për trajnerin
Partizani ka një çështje të rëndësishme për të zgjidhur dhe bëhet fjalë për trajnerin e ri. Të kuqtë kanë mbetur pa dikë në stol, pas dorëheqjes së Skënder Gegës.

Largimi i një legjende për klubin si Gega, ka bërë që presidenca të kërkojë një emër nga jashtë për vazhdimësinë. Për këtë, drejtuesit po tregohen të kujdesshëm, ndërsa deri tani janë raportuar emra që vijnë nga Ballkani dhe Italia. Mladen Milinkoviç, Mario Cvitanoviç dhe Françesko Moriero ishin të parët që dolën në skenë për të marrë drejtimin e të kuqve. Kjo tregon se te Partizani aktualisht nuk po mendohet një trajner vendës.
KËRKIMI- Deri tani nuk ka “tym të bardhë”, mëson gazeta. Nuk është aspak e lehtë të emërohet trajneri i ri në këtë moment, pasi Partizani kërkon që të rikthehet te dikush ku mund të ndërtohet projekt afatgjatë. Diçka e tillë nuk ndodh që prej Ilir Dajës, ndërsa edhe ky i fundit u largua pas 1 viti e gjysmë. Kanë mbetur tri javë nga fillimi i kampionatit. Ekipi po pret që të njohë timonerin e ri për të vijuar me fazën përgatitore.
MUHAMETI- Partizani qëndroi për një javë pushim, pas eliminimit në Europë. Më pas u rikthye për përgatitjet. Fakt është që prej një jave seancat stërvitore i drejton Fatjon Muhameti. Ky i fundit është trajner te moshat, konkretisht tek ekipi U-19 i Partizanit.
MERKATO– Partizani e ka të qartë se ku duhet të përforcohet. Mesfusha shfaq “gropën” më të madhe dhe pikërisht aty pritet që të afrohet jo vetëm një lojtar. Më pas edhe në sulm të kuqtë duhet të shtojnë organikën. Largimi i Zekës para ndeshjes në Europë dhe më pas dëmtimi i Kekos, ka bërë që të nevojitet edhe të paktën një anësor.
MIQËSORJA- Partizani do të kthehet në fushë kundër Kukësit, më 2 gusht (nesër) ora 18:00. Klubi i kuq ka zyrtarizuar axhendën e miqësores në “Arena e Demave”. Partizani rikthehet kështu për një ndeshja para tifozëve pas zhgënjimit të madh në Europë. Përballë janë verilindorët, që vijojnë rrugëtimin në Kategorinë e Parë për edicionin e dytë radhazi.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













