Partizani kërkon vendin e katërt, përcaktues derbi me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 22:07

Partizani kërkon vendin e katërt, përcaktues derbi me Dinamon

Gara për vendin e katërt në Kategorinë Superiore është kthyer në një duel të fortë mes Partizanit dhe Dinamos, dy skuadra të kryeqytetit që në këto javë finale të kampionatit po luftojnë për objektivin minimal të sezonit, pjesëmarrjen në “Final Four” dhe mundësinë për të siguruar një vend në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm.

partizani

Aktualisht, të dyja skuadrat ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, me nga 45 secila, ndërsa kanë mbetur edhe vetëm tre javë nga fundi i kampionatit, çka e bën garën edhe më të fortë dhe çdo ndeshje merr vlerën e një finaleje. Partizani dhe Dinamo e dinë shumë mirë se çdo gabim në këtë moment mund të kushtojë sezonin, ndaj fokusi është maksimal dhe presioni rritet nga java në javë, sidomos duke parë se diferencat janë minimale dhe gjithçka mbetet e hapur deri në fund.

Këtë fundjavë, Dinamo do të presë Egnatian, skuadër që e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” dhe që luan pa presionin e renditjes, ndërsa Partizani do të luajë në kryeqytet ndaj Flamurtarit, një kundërshtar që ende lufton për mbijetesë dhe që do të kërkojë pikë jetike. Në letër, ajo e Partizanit duket një ndeshje më e komplikuar pasi përballë është një skuadër që ka objektiva të qarta dhe motivim maksimal, ndërsa asnjë pikë nuk mund të konsiderohet e sigurt në këtë fazë të kampionatit.

Në javën pasardhëse, Dinamo do të presë Vorën, një tjetër skuadër që luan për mbijetesë dhe që do të kërkojë me çdo kusht rezultat pozitiv, ndërsa Partizani do të ketë një transfertë delikate në Rrogozhinë, aty ku do të përballet me Egnatian në stadiumin “Arena Egnatia”. Kjo sfidë mund të rezultojë vendimtare për të kuqtë. Megjithatë, gjithçka pritet të kulmojë në javën e fundit të kampionatit, aty ku kalendari ka rezervuar një duel direkt mes Partizanit dhe Dinamos, një përballje që në fakt pritet të jetë si një finale e vërtetë për vendin e katërt.

Ky takim mund të përcaktojë skuadrën e fundit që do t’i bashkohet Elbasanit, Vllaznisë dhe Egnatias në “Final Four”, ndërsa për vetë rëndësinë që mbart, pritet të jetë një nga sfidat më të tensionuara dhe më të luftuara të gjithë sezonit. Në këtë kampionat, bilanci i përballjeve direkte mes dy skuadrave flet në favor të Dinamos, e cila ka arritur të marrë dy fitore ndaj Partizanit, ndërsa të kuqtë kanë vetëm një sukses, atë të regjistruar në fundin e fazës së tretë.

Ky avantazh moral mund të ketë peshën e vet, por në javët finale statistikat shpesh humbasin rëndësi dhe ajo që bën diferencën është menaxhimi i presionit, forma e momentit dhe aftësia për të fituar ndeshjet vendimtare. Për Partizanin dhe Dinamon, sezoni tashmë është përmbledhur në tre ndeshje dhe çdo 90 minutësh mund të ndryshojë fatin e një viti të tërë pune. Final Four mbetet objektivi i vetëm dhe vetëm njëra prej tyre do të arrijë ta mbyllë kampionatin me buzëqeshje.

PANORAMASPORT.AL