Partizani është kthyer në spital, Kërnaja i detyruar të ndryshojë planet. Sa shumë probleme për të kuqtë në këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 9:52

Partizani është kthyer në spital, Kërnaja i detyruar të ndryshojë planet. Sa shumë probleme për të kuqtë në këtë sezon

Nëse ka një aspekt të cilin Partizani e ka vuajtur më së shumti përgjatë këtij sezoni, ato janë dëmtimet e shpeshta dhe për më tepër të rënda të disa prej lojtarëve kryesorë. I fundit në këtë listë është David Fadairo.

ibraimi kernaja

Sulmuesi që u afrua në këtë merkato të janarit te të kuqtë nga radhët e Teutës, rezultoi të ishte shumë i pafat në aventurën e tij në kryeqytet. Fillimisht, 25-vjeçari nigerian pësoi një problem në pulpë që e mbajti jashtë fushave për rreth dy javë, ndërsa në ndeshjen e fundit ndaj Vorës, problemi duket më serioz kjo pasi lojtari theu dorën në një kontrast të pafat me kundërshtarin. Fadairo, pritet që t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale dhe vetëm më pas do të mund të flitet për kohën e rikuperimit.

Por, siç e theksuam më lart, te Partizani dëmtimet e rënda i kanë vuajtur prej fillimit të sezonit. Kujtojmë këtu rastin e Albers Kekos që u dëmtua që në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës në verë, teksa më pas u dëmtua edhe qendërmbrojtësi Marcelino Preka. Dyshja ende nuk është rikthyer në fushë duke limituar opsionet për skuadrën. Sakaq, dëmtim të rëndë pësoi edhe Nondi, me mesfushorin që është rikthyer vetëm së fundmi dhe ka nisur të marrë minutat e para nga ana e trajnerit Oltijon Kërnaja.

Ndërkohë, dëmtim të rëndë pësoi gjithashtu Albion Marku, që e pësoi në ndeshjen ndaj Egnatias në fundin e dhjetorit. Mbrojtësi, ka nisur stërvitjet e para në palestër dhe mbetet në fazë rikuperimi, ende pa një datë të qartë për rikthimin e tij në fushë, që sigurisht do të ishte një ndihmë e madhe për ekipin.

Dëmtime të rëndë të këtij sezoni ishin edhe ato të të rinjve Mateo Çipi si dhe Denis Sulo. Në këtë listë nuk ka shpëtuar edhe Arafatb Dumbia, me këtë të fundit që u dëmtua në derbin e fazës së dytë ndaj Tiranës, dhe është rikthyer po ashtu këto ndeshjet e fundit duke rezultuar si shumë i rëndësishëm për të kuqtë. Mes problemeve fizike ka qenë në këtë sezon edhe Xhuljano Skuka, David Atanaskoski, Andi Janjeva ndërsa së fundmi të tilla shqetësime kanë kapluar edhe emra si Vusal Isgandarli apo Kamer Qaka të afruar në merkaton e janarit.

Megjithatë, ashtu siç shpesh e ka theksuar trajneri Oltijon Kërnaja, organika e të kuqve është mjaft e pasur me teknikun 37- vjeçar që duke u përballur me të tilla vështirësi dhe limite në zgjedhje, ka “hedhur” sytë edhe nga skuadra U19 apo ajo B, duke promovuar elemëntë mjaft të mirë, siç kanë qenë Marjus Kola apo Diego Kontraras. Të tilla problematika, i kanë bërë arritjet e Partizanit deri në këtë pikë të sezonit edhe më të vlefshme, me të kuqtë që kanë ditur të marrin maksimumin, përtej vështirësive dhe fatit të keq.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL